English

Bisedimet mazhorancë-opozitë për reformat, Sannino mbërrin sot në Tiranë

Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA – Në Tiranë pritet të mbërrijë sot Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, në një përpjekje te re për t’i dhënë një shtysë të fundit bisedimeve, që po zhvillohen mes shumicës së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha dhe opozitës socialiste të udhëhequr nga Edi Rama, për realizimin e disa reformave të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli.

Burime diplomatike i thanë “Zërit të Amerikës” se përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian do të qëndrojë në kryeqytet deri të enjten, e do të ketë takime me të dyja palët.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort në parim për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, i pari, që lidhet me reformën zgjedhore dhe i dyti, që ka të bëjë me një kërkesë të opozitës për ndryshime në rregulloren e parlamentit, ndonëse kjo nuk është bërë ende publike, përsa kohë mbetet ende pezull çështja, që ka të bëjë me ligjet, të cilat kërkojnë një votim me tre të pestat në parlament, pra dhe mbështetjen e opozitës.

Kjo çështje në fakt këto ditë është përmendur shumë nga të dy krahët.

Kryetari socialist Edi Rama deklaroi të hënën se grupi i tij parlamentar do të paraqesë një axhendë të detajuar për miratimin e këtyre ligjeve.

Nga ana e saj, shumica ka ushtruar trysni të vazhdueshme publike duke i kujtuar opozitës se ajo bllokoi procesin e integrimit për shkak të refuzimit për të votuar këto ligje, e duke shtuar se sipas saj, se opozita nuk ka dhënë asnjë argument ligjor se përse i kundërshton.

Por, socialistët kanë përsëritur disa herë se sipas tyre, këto ligje kanë mangësi në përputhjen me standardet e kërkuara nga Brukseli.

Mosmarrëveshja për të gjetur një zgjidhje për afatet, brenda të cilave, duhet të miratohen në parlament, reflekton edhe mosbesimin e thellë, që ekziston mes palëve.

E ndoshta ndërhyrja e Drejtorit të Përgjithshëm Stefano Sannino mund të shërbejë për të vënë ekuilibrin e nevojshëm.

Vizita e tij në Tiranë e 20 ditëve më parë përshpejtoi procesin e diskutimeve mes shumicës dhe opozitës duke bërë, që të kapërcehej ngërçi lidhur me reformën zgjedhore dhe atë për rregulloren e parlamentit.

VOA/NOA

KOMENTE