English

Komisioni i Ekonomisë diskuton mbi pr/buxhetin për vitin 2012

Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA – Pas miratimit me konsensus dje në Konferencën e Kryetarëve, projektbuxheti për vitin 2012 po shqyrtohet sot nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë.

Ministri i Financave Ridvan Bode duke prezantuar projektbuxhetin në komision, i cilësuar nga kreu i demokratëve si buxheti më i madh në historinë e vendit, deklaroi se ai është një buxhet konservativ i qeverisë, dhe që synon të ruajë stabilitetin makroekonomik të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ministri i Financave ritheksoi se vitin e ardhshëm ekonomia shqiptare pritet të rritet me 4.3 përqind, ndërkohë që sipas tij, inflacioni do të mbahet në nivelin 3 përqind.

Duke prezantuar draft-buxhetin për vitin e ardhshëm, kryefinancieri Bode nënvizoi se ai parashikon rishtas rritje të pagave dhe pensioneve, qëndrueshmëri makroekonomike dhe investime në infrastrukturë, arsim dhe mjekësi.

Sipas Bodes në kushtet e një krize globale, Shqipëria ka arritur të shmangë presionet, duke pësuar uljen më të vogël ekonomike në rajon.

Shefi i financave bëri me dije se për vitin e ardhshëm, do të ulen borxhi i brendshëm dhe papunësia.

Por, duket se prezantimi i projektbuxhetit të ri ka hasur kundërshtime në radhët e opozitës, e cila ka deklaruar prerë se do të përballet me mazhorancën për të sqaruar të gjitha të metat e projekt-buxhetit të ri, duke sqaruar se shifrat për të cilat flet qeveria, nuk janë reale.

Madje opozita e ka cilësuar rritjen e pagave dhe pensioneve të papërfillshme krahasuar me çmimet e larta në treg të papërballueshme për xhepat e shqiptarëve gjithnjë e më shumë të varfëruar ekonomikisht.

mit/NOA

KOMENTE