English

Maqedoni, Berisha Çmim Ndërkombëtar për Lidership

Shkup, 9 nëntor 2011, NOA – Nga mbrëmja e të hënës, kryeministri shqiptar Sali Berisha ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoni.

Në njoftimin e kryeministrisë nënvizohet vetëm axhenda e takimeve, ndërsa nuk paralajmërohet firmosja e ndonjë marrëveshjeje ndërshtetërore.

Mediat proqeveritare maqedonase bëjnë të ditur se dy kryeministrat do të bien dakord për firmosjen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime, një marrëveshje që më parë është firmosur mes Shkupit dhe Beogradit, dhe që pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit.

Zoti Berisha do të pritet nga homologu maqedonas Nikolla Gruevski me një ceremoni të organizuar zyrtare pranë Qeverisë.

Më pas ai do të takohet me presidentin Gjorgje Ivanov dhe kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe me krerët e partive politike: kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, etj.

Në axhendën e kryeministrit Berisha përfshihet gjithashtu një vizitë në Tetovë, ku delegacioni i lartë qeveritar do të pritet nga kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti dhe drejtues të tjerë lokalë.

Më pas, Kryeministri do të vizitojë Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore.

Një moment i rëndësishëm për Kryeministrin Berisha do të jetë dhënia nga Universiteti i Evropës Juglindore, e Çmimit Ndërkombëtar për Lidership.

Me këtë rast, Kryeministri Berisha do t’i drejtohet auditorit, me një fjalim, theksohet në fund të komunikatës së kabinetit të kryeministrit Berisha.

INA/NOA

KOMENTE
  • Kushtrim Selmanaj19:51 - 09 Nëntor 2011
    Drejt, biles eshte pak. Me ato deme qe i ka bere dhe vazhdon ti beje Shqiperise dhe shqiptareve...me ato ndere qe i ka bere fqinjeve tane, meriton me shume mirenjohje, nga fqinjet, kuptohet.