Athinë, 9 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Presidentit grek Karolios Papulias pritet t’i dorëzohet brenda mesditës emri i kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij, që do të drejtojnë vendin për katër muajt e ardhshëm.
Dy liderët kryesorë, kryeministri socialist ende në detyrë Jorgos Papandreu dhe lideri i opozitës konservatore, Antonis Samaras, do të takohen me kreun e shtetit për t’i komunikuar emrin e kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Negociatat mes palëve kanë zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për shkak të pakënaqësive të krijuara në të dyja kampet, por sidomos në atë të opozitës, lidhur me emrat, që do të përfshihen nga kjo parti në koalicionin e ri qeveritar.
Jo pa debat janë zhvilluar edhe diskutimet rreth emrit të kryeministrit të ri, ç’ka duhet thënë se frenuan ndjeshëm dinamikën e krijimit të qeverisë së re, e cila duhet të kishte bërë betimin, që prej 8 nëntorit.
Ndonëse qarkullojnë disa emra, nuk është ende e qartë se kush do ta drejtojë qeverinë e re të tranzicionit, e cila do të çojë në parlament marrëveshjet e 27 tetorit me BE-në, si dhe do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, të parashikuara për t’u mbajtur në datën 19 shkurt.
Veç emrit të Lukas Papadhimos, ish-zv/president i Bankës Qendrore Europiane në skenë ka dalë edhe emri i kryetarit të Gjykatës Europiane, Vasilis Skuris, por që nuk konfirmohet nëse ka ose jo, mbështetjen e dy forcave kryesore politike.
Ndërkaq Brukseli i ka dërguar një mesazh të qartë klasës politike greke, duke i kërkuar garanci për zbatimin e marrëveshjes së 27 tetorit.
Komisioneri për Çështjet Ekonomike, Olli Rren dhe kreu i Eurogrup-it, Zhan Klod Junker janë shprehur përmes një deklarate për shtyp, se kjo garanci duhet konkretizuar me nënshkrimin e një dokumenti nga dy liderët e forcave kryesore politike në vend.
Sipas zyrtarëve europianë kjo do t’i japë mundësi Greqisë të disbursojë këstin e 6-të të kredisë.
mit/NOA
Në Foto: Antonis Samaras, Jorgos Papandreu, Karolios Papulias
Në foto: Olli Rehn, Zhan Klod Junker