English

Një lider i ri në kohë të gabuar

“Foreign Affairs”

Teksa kriza evropiane shtohet gjithnjë e më shumë me kalimin e ditëve, Banka Qendrore Europiane mund të jetë e vetmja mbështetje financiare për të nxjerrë nga balta vendet e përfshira nga kriza. Kritikët argumentojnë se banka duhet ta niste huadhënien prej kohësh. Tashmë tensioni bie mbi Draghin për të marrë përsipër rreziqet që i shmangu deri diku paraardhësi i tij. Ankthi që rrethoi takimin e G-20 në Kanë kësaj jave vetëm se u thellua edhe më shumë, kur kryeministri grek Papandreu bëri thirrje për një referendum popullor dhe një marrëveshje të arritur midis vendit dhe kreditorëve të huaj. Papandreu shumë shpejt e anuloi votën, nga frika e mospagimit që nxjerr në pah një ndryshim kritik në kulm të sistemit bankar evropian. Ardhja e Mario Draghit, ish guvernatorit të Bankës së Italisë, në presidencën e Bankës Qendrore Europiane do të ndihmojë për të vendosur se si do t’i adresohen europianët problemeve themelore financiare. Draghi zëvendëson Jean-Claude Trichet, i cili ndenji prej 8 vitesh në këtë post. Trichet e shndërroi Bankën Qendrore Europiane në një institucion të respektuar dhe të fuqishëm. Vetë ai u bë një figurë qendrore në politikëbërjen e Bashkimit Europian dhe një partner i domosdoshëm për qeveritë evropiane. E la detyrën pikërisht në kulmin e gjendjes kritike. Dragoi mori drejtimin duke e nisur punën me uljen e interesit deri në 1.25%. Por, ama, atij do i nevojitet të shpalosë rolin e Bankës Qendrore Europiane edhe më shumë, për të parandaluar një katastrofë në eurozonë. Nën drejtimin e Trichet, nuk mund të mohohet se Banka Qendrore Europiane ndihmoi në lehtësimin e trazirave ekonomike në Europë. Më 2007, kur bankat evropiane ndaluan së dhëni hua tek njëri-tjetri nga frika se mos huadhëniet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës do i detyronin disa prej tyre të falimentonin, Banka Qendrore Europiane shumë shpejt injektoi likuiditet masiv në tregti. Kjo parandaloi një dobësim të transaksioneve financiare dhe bankat e tjera qendrore shumë shpejt ndoqën shembullin e Bankës Qendrore Europiane. Për të ndaluar krizën në Greqi, kjo bankë krijoi një program për të blerë garancitë qeveritare të ekonomive evropiane, të cilat kanë thithur më shumë se 240 bilionë dollarë borxhe, që nga maji i vitit 2010. Duke vepruar kështu, Banka Qendrore Europiane ka operuar legalisht në Traktatin për Bashkimin Europian, që përmban një nen që e ndalon bankën të shpëtojë qeveritë gjatë një shkeljeje fiskale. Nga ashpërsia e kësaj situate, Trichet argumentoi se Banka Qendrore Europiane ka përgjegjësi për ruajtjen e stabilitetit financiar të eurozonës. Trichet kundërshtoi t’i kalonte kufijtë e traktatit. Nën këndvështrimin e tij, Banka Qendrore Europiane ndërhyri për të shpëtuar vendet e eurozonës vetëm në përgjigje të rreziqeve të pashmangshme të shkrirjes financiare apo mospagimeve e shlyerjeve të borxheve, siç është rasti i Greqisë. Trichet i nxiti vendet që të miratonin reformat. Për shembull, ai kohët e fundit e kundërshtoi propozimin e presidentit francez Nikolas Sarkozi, që qeveritë të plotësonin një licencë bankare për stabilitetin financiar evropian, fond ky që shumica e vendeve të eurozonës do ta siguronin për ndihmën financiare ndaj partnerëve. Sipas Sarkozisë, ky hap do të bënte që Banka Qendrore Europiane të angazhohej për të siguruar likuiditete të pakufizuara. Trichet, sidoqoftë e pa këtë si një shkelje parimesh. Por, pavarësisht përpjekjeve të Bankës Qendrore Europiane, shtjella e borxhit do të thellohej edhe më shumë. Kritikët e kundërshtuan paralajmërimin e Trichet, duke qenë se Irlanda,Italia, Portugalia dhe Spanja rrezikonin të ecnin në rrugën e Greqisë. Franca mund të humbë tashmë interesat mbi borxhin, gjë që mund të kufizojë kapacitetin e tij për të ndihmuar fqinjët, duke e lënë Gjermaninë si vendin e vetëm me një forcë të madhe depozitash bankare në eurozonë. Depozitat bankare gjermane nuk janë të pafundme. Edhe nëse Berlini është i përgatitur të shpëtojë fqinjët e dobët, mbase nuk do të jetë në gjendje t’u japë garanci vendeve me borxhe për huadhënien. Tmerri infektues më pas mund të shndërrohet në një realitet dhe pse jo, edhe në rrënimin e euros. Sarkozi dhe kancelaria gjermane Merkel po përpiqen të gjejnë alternativa për burime financiare. Ata kanë kërkuar ndihmë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke i ardhur rrotull sponsorëve potencialë që nga Kina në sektorin privat dhe do të bëjnë thirrje edhe në G-20 kësaj jave në Kanë. Nëse vazhdon të degjenerojë borxhi grek dhe i vendeve të Bashkimit Europian, ngurrimi i investitorëve jashtë Europës do të jetë duke u shtuar, gjithsesi. Banka Qendrore Europiane mund të jetë i vetmi burim financiar, që mund të arrijë të rikthejë besimin. Kritikët e Trichet argumentojnë se ai duhej ta përdorte këtë që prej kohësh. Në këndvështrimin e tyre, dështimi i Bankës Qendrore Europiane për të vepruar si një kreditore e shpresës së fundit është pjesërisht e përgjegjshme për futjen e eurozonës në një spirale të mbrapshtë borxhi. Draghi nisi me dekretimin e uljes së interesit modern, por mund t’i nevojitet të shpëtojë shtetet dhe bankat me sasi të mëdha eurosh. Nëse Draghi vendos të ndjekë këtë kurs, ai do të fitojë besim te homologët e tij europianë, si mes bankierëve qendrorë, edhe mes liderëve qeveritarë. Pavarësisht nga gabimet e Trichet, kolegët e tij në sistemin evropian të bankave qendore ende e respektojnë atë. Si bankier i një banke qendrore në Francë, ai gjithashtu ka përfituar nga kjo duke qëndruar si një arbitër i paanshëm mes bankierëve qendrorë, shteteve periferike, anëtare të Bashkimit Europian dhe atyre që vijnë nga shtete më të sigurta në Europën veriore. Por Draghi mund të hasë vështirësi për të fituar respektin e kolegëve. Për këtë do t’i duhet të mposhtë lidhjen e tij me Italinë, borxhi i së cilës është po aq shqetësues sa i Greqisë sot. Reputacioni i tij do të ndihmojë te respekti që mund të krijohet, por nëse përpiqet të hapë portat e financës pa përkrahjen e plotë, autoriteti i tij si kreu i Bankës Qendore Europiane do të vihet në dyshim. Draghi mund ta ketë të vështirë të shkundë qeveritë evropiane, veçanërisht ato të Francës dhe Gjermanisë. Edhe pse Sarkozi dhe Merkel nganjëherë e kanë shpërfillur këshillën e Trichet, ata gjithmonë konsultoheshin me të. Për shembull, në konfliktin e tyre të gjatë lidhur me borxhin grek, dy liderët i vunë veshin këmbënguljes së Trichet për bankat e mëdha evropiane lidhur me kontratat që kishin bërë me Greqinë. Nëse problemet e borxhit europian vazhdojnë të acarohen, konflikte të mprehta kanë për të ndodhur. Në këtë situatë, Europa do të ketë nevojë për Draghin që të sigurojë ndikimin e tij shumë shpejt dhe ta zotërojë këtë ndikim për të gjetur zgjidhje për vështirësitë e mëdha në të ardhmen. Dragoi mund t’i bindë homologët e tij si brenda, edhe jashtë Bankës Qendrore Europiane që të ndërmarrin veprime drastike që i imponon kriza.

Përktheu: Rudina Dahri

KOMENTE