English

Peshëngritje, Shqipëria konfirmon dy femra në “Londër 2012”

Paris, 8 nëntor 2011, NOA/Altin Kodra- Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në kryeqytetin e Francës, Paris, është shndërruar në fakt në një ekuacion të ethshëm matematikor. Kjo për faktin se, përtej medaljeve, që natyrisht në këtë nivel janë një mision titanik, ajo që ka rëndësi më tepër, sidomos për vende të vogla si Shqipëria, janë pikët olimpike, të cilat ndajnë edhe kuotat e numrit të sportistëve që çdo vend çon në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Londër 2012”.

Nuk është se medaljet kanë munguar, madje e bronzta në stilin e shkëputjes që Romela Begaj mori të hënën në kategorinë e peshës trupore deri në 58 kg, është në fakt historike, pasi është e para që Shqipëria merr në nivelin e të rriturve në një Kampionat Botëror, dhe e dyta gjithsej pas asaj të argjendtë të Ilir Sulit në 2002-shin, por ajo që ka më tepër rëndësi është paraqitja e secilit prej 10 sportistëve kuqezi në Paris dhe pikët që ato i japin ekipit përfaqësues.

Duke patur parasysh se një pjesë e mirë e këtyre sportistëve kanë konkurruar në bateritë B dhe C të peshave të tyre, kjo ka bërë që edhe përllogaritja e pikëve të vështirësohet, pasi duhet të përfundojë garimi për të 3, madje në disa raste, për të 4 grupet e një peshe, që të finalizohet renditja përfundimtare dhe të përllogariten pikët. Megjithatë, me garimin edhe të Sherjana Rucit më peshën 63 kg, tanimë është finalizuar renditja e pikëve olimpike për femrat e shtangës kuqezi.

Kështu, Shqipëria renditet e 18-ta në botë në listën e pikëve olimpike, pasi 42 pikëve të grumbulluara gjatë vitit 2010, 4 sportistet pjesëmarrëse që garuan në Paris, i kanë shtuar edhe 46 pikë të tjera, duke e çuar në kuotën e 88 pikëve. Pavarësisht dështimit të Fetije Kasës, vendi i 7-të në botë i arritur nga veterania Shqiponja Guhacaj (Braho), i ka dhënë Shqipërisë 20 pikë olimpike, ndërsa vendi i 8-të në botë i Romela Begajt, ka shtuar edhe 19 pikë të tjera.

Sherjana Ruci, me paraqitjen e saj modeste në vendin e 24-t, ka shtuar edhe 7 pikë të tjera kuqezi, por duhet theksuar që vetëm dy-tri pikë më tepër do ta kishin ngjitur Shqipërinë në kategorinë e vendeve që kualifikojnë tre sportistë në Olimpiadën e vitit të ardhshëm. Ndërkaq, për meshkuj ende nuk mund të thuhet me saktësi sesa sportistë do të çojmë në “Londër 2012”, pasi për momentin kemi vetëm 57 pikët e marra gjatë vitit 2010, ndërsa për këtë vit duhet të presim deri më 13 nëntor.

Megjithatë, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademit, 4 sportistët e mbetur, Hysen Pulaku, Ilir Suli dhe Erkand Qerimaj, i kanë të gjitha mundësitë t’i japin Shqipërisë mimimalisht 70 pikët që i duhen për të çuar në Londër katër sportistë meshkuj. “Paraqitja e Briken Caljës dhe Daniel Godellit sot (të martën) na ka dhënë 17-18 pikë olimpike, që na sigurojnë minimalisht 3 sportistë të kualifikuar për në Olimpiadë”, - ka deklaruar ai.

“Por unë kam besim se 4 sportistët e mbetur do të na grumbullojnë pikët e nevojshme që të jemi në të paktën në kuotën e 120 e ca pikëve, që minimalisht na garantojnë 4 sportistë në “Londër 2012”, - ka theksuar kreu i shtangës kuqezi. - Madje, me pak fat, në varësi të pikëve të vendeve me të cilat rivalizojmë, mund të shpresojmë edhe për një të pestë. Megjithatë, unë e vlerësoj paraqitjen e deritanishme të delegacionit tonë si të kënaqshëm dhe jam optimist për sportistët që nuk kanë garuar ende.”

Godelli, i 6-ti në botë në shkëputje, por Calja më mirë në total

Garimi i sportistëve shqiptarë në Kampionatin Botëror të Të Rriturve, që po zhvillohet në Paris, ka vijuar të martën me dy sportistët meshkuj, Daniel Godellin dhe Briken Caljën, që kanë konkurruar në grupin B të kategorisë së peshës trupore deri në 69 kg. Godelli ka dalë i pari në këtë grup në stilin e shkëputjes, pasi ka ngritur me sukses 146 kg, në provën e tretë, pasi kishte bërë të njëjtën gjë edhe në provën e parë me 140 kg dhe në të dytën me 143 kg.

Pesha 146 kg i ka dhënë Godellit edhe vendin e 6-të në renditjen e përgjithshme në stilin e shkëputjes, pas përfundimit të garimit edhe në grupin A. Por paraqitja me vetëm 165 kg të ngritura në provën e parë të stilit të shtytjes (pasi dëmtimi nuk i ka lejuar të vazhdojë me dy provat e tjera), kanë bërë që peqinasi të renditet i 32-ti në botë në klasifikimin e përgjithshëm. Si rrjedhojë, Godelli është renditur i 20-ti në botë në dygarësh, me 311 kg, duke qenë 4 vende pas bashkëatdhetarit të ri, Briken Calja.

Ky i fundit nuk i ka ngritur dot 140 kg në provën e parë, por e ka bërë këtë në të dytën, duke vijuar të dështojë në provën e tretë me 145 kg dhe duke u renditur i 16-ti në renditjen e përgjithshme të kësaj peshe në stilin e shkëputjes. Ndërsa në shtytje, Calja ka dështuar në dy provat e para me 170 kg, por ka guxuar në të 3-tën me 172 kg, duke ia dalë ta ngrejë me sukses dhe duke marrë vendin e 20-të në këtë stil. 321 kg e ngritura në total (një më tepër sesa Godelli) e kanë renditur Briken Caljën të 16-in botë në dygarësh.

a.y/NOA

Në foto: Romela Begaj

KOMENTE