English

Tirana dhe 100 ditët e para të Bashës

Nga Amik Kasoruho

Kur mendon dhe flet për 100 ditët e Bashës si kryetar bashkie, mendja të shkon tek ato që nuk janë bërë dje dhe premtimet që do të realizohen. Kemi kohë të presim. Mbajmë shpresë dhe nuk na mungon durimi. Ishte një kohë që shumëkush e besonte pak Lulzim Bashën si një kryetar të mundshëm bashkie, e akoma më shumë, si një kryetar bashkie të suksesshëm. Ndoshta sepse dukej shumë i shtruar për ne që kishim pasur të bënim me një kryebashkiak që e mendonte veten më shumë si kryetar i një partie, sesa si qytetar i parë i Tiranës. Prandaj edhe kundërshtarët e tij në garën elektorale përdorën një regjistër politik, duke heshtur për atë që s’u bë gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të administratës “Rama” dhe që ne e kemi vuajtur. Gjykimet politike janë gjithmonë të pabesueshme deri në fund, pasi brenda tyre është edhe arma për t’ia marrë pushtetin e forcës kundërshtare. Nga kundërshtarët e tij Basha u konsiderua thjesht një element i Partisë Demokratike. Për inat të tyre dhe për kënaqësinë e qytetarëve, ai rezultoi një kryetar bashkie me horizont, me vlera dhe me aftësi. Ndërsa qytetarët kapërcejnë gjykimin partiak. Atë gjykim e kapërcej edhe unë kur shikoj, vërej, ndjek dita-ditës se çfarë ka ndryshuar Basha në punën e tij dhe sa është rritur profili i tij si qytetar i parë, qysh nga hera e parë qe e kemi takuar ne, një pjesë njerëzish që krijuam “Iniciativën për Tiranën”. Basha ka hyrë në vëmendjen e shqiptarëve jo vetëm këto njëqind ditë që po drejton Bashkinë, por qyshkur filloi dhe zhvilloi një fushatë elektorale, të cilën e kemi dashur dhe e kemi dëshiruar gjithmonë ta kemi. Pa mllefe, pa akuza, pa etiketime, pa tallje dhe pa fyerje të kandidatit kundërshtar. Një fushatë që u karakterizua nga premtimet e tij dhe të stafit të tij të mbështetura në të dhëna të prekshme, një fushatë që filloi me njohjen e problemeve, strategjitë e menjëhershme dhe ato afatgjata, që vijoi me diskutime të hapura, që edhe pse përfundoi me një numërim të vështirë votash, dëshmoi se shqiptarët kanë më shumë nevojë jo vetëm për fushata me etikë dhe kulturë demokratike, por edhe për qartësi dhe mirëkuptim mes palëve, për të respektuar çdo votë dhe çdo qytetar. Kjo edhe sepse qytetarët shqiptarë qenë mësuar, pothuaj droguar për vite e vite me radhë, me fushata të fryra, të mbarsura me urrejtje, me demagogji dhe premtime në hava dhe që nuk u realizuan kurrë. Bashën e kemi pasur përballë në disa debate që lidheshin me problemet e qytetit të Tiranës dhe vumë re se kandidati i atëhershëm, sot kryetar bashkie, dinte të dëgjonte mjaft mirë vërejtje e sugjerime. E theksoj këtë, pasi është shumë e rrallë, edhe pse e rëndësishme, që njeriu i cili merr përsipër përgjegjësi publike, të dijë të dëgjojë. Duke kryer këtë gjest, grupimi “Iniciativa për Tiranën”, por jam i bindur edhe shumë grupime qytetarësh, kur e kanë takuar, u bindën se njeriu që kishin përballë jo vetëm dëgjonte, por nuk linte asnjë shteg hapur për të ngjallur dyshime, si në njohjen e problemeve të Tiranës, ashtu edhe për mundësitë dhe burimet njerëzore që do të përdorte për të zgjidhur çdonjërin prej tyre. Pas shumë viteve kam shkelur në një zyrë bashkiaku (për ironi të fatit hera e parë ishte zyra e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Kavajës që më thirri për të më njoftuar urdhrin për t’u larguar përdhuni në një fshat), pata rastin ta vizitoj kryebashkiakun e qytetit tonë në zyrën e tij. Aty, pak ditë pas zgjedhjeve, pashë, kuptova dhe vlerësova një kryebashkiak që është në atë post për t‘i shërbyer qytetit dhe problemeve të tij të pazgjidhura. Jo të gjitha premtimet që bëhen në një fushatë elektorale mund të mbahen, por të paktën një pjesë të tyre do të donin të gjithë të realizoheshin. Janë vetëm njëqind ditë në kalendarin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe premtimet po shënohen njëri pas tjetrit si punë të zgjidhura. Teknikisht nuk di t’i numëroj, por me syrin e qytetarit që dëshiron një qytet të mirë dhe të qetë, të rregullt dhe të jetueshëm, kam parë si janë rrethuar rrugët përpara shkollave ku dalin e hyjnë fëmijë që mund të rrezikohen nga makinat; kam parë si po lirohen vendet nëpër trotuare, ku gjeje jo vetëm karrige dhe tavolina, por edhe makina ngjitur mbi to; kam vënë re se ka filluar aplikimi i hipotekës që e bën qytetarin të ndihet zot në shtëpinë e tij. Ky dokument, që e kanë pritur dhe dashur prej vitesh mijëra qytetarë, tashmë nuk është as tabù, as iluzion. Kam parë si po shemben ndërtimet pa leje dhe bashkë me to po rrëzohet edhe mendësia se shteti dhe ligjet e tij nuk janë një lloj për të gjithë. Mbesa ime nuk ka karta krediti, nuk ka një teserë partie, por këtë herë u ndje e rëndësishme që veç kartës së identitetit, ka edhe një kartë studenti. E kjo, natyrisht, nuk ia bën të lehtë studimin, por e bën më të motivuar për të mësuar e studiuar, në një qytet që interesohet edhe për te. Kam komunikuar disa herë me kryetarin e Bashkisë dhe kam ndier respektin që ka ai institucion për qytetarin, në çdo kohë, në çdo situatë. Një miku im, profesionist i lirë që ka një dyqankë në një cep rruge, pas kaq kohe po shkon më i qetë në punën e tij sepse është çliruar nga një thes me taksa. E kjo nuk është pak për atë dhe shumë artizanë, tregtarë e biznesmenë të vegjël që kishin ëndërruar të punonin pa ngecur në marrëzinë e pafundme të taksave të tepërta. Kur u krijua “Iniciativa për Tiranën” menduam të debatonim me kandidatët e të dyja forcave politike për kryetar bashkie. Ky debat mungoi. Në ballafaqim nuk na erdhi kurrë ish-kryebashkiaku Rama. Nuk humbëm shumë, as ne, as qytetarët e Tiranës, sepse tani e kuptoj më mirë se kandidati tjetër nuk kishte çfarë të diskutonte me ne. Nuk kishte si të përsëriste premtime kurrë të mbajtura. Për Bashën është vetëm fillimi. Një fillim i mbarë dhe që premton shumë. Përmenda vetëm ndonjë nga zotimet që na u thanë gjatë fushatës elektorale në Tiranë dhe që po mbahen. Por janë mjaftueshëm për të na bindur se puna ka filluar si jo më mirë. Ashtu si dëshirojnë qytetarët e këtij qyteti, të bindur se i duhej një kryebashkiak i tillë.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE