English

Topi- Sanino: Politika i ka lexuar qartë mesazhet e Brukselit

Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefano Sanino i shoqëruar nga ambasadori i BE-së në vendin tonë Ettore Sequi.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Brukselit dhe në veçanti, kontributin e zotit Sanino për kapërcimin e ngërçit politik në Shqipëri.

Fokusi i bisedës u përqendrua kryesisht në situatën aktuale politike dhe institucionale në vendin tonë, e sidomos sa u përket zhvillimeve pas vizitës më të fundit të zotit Sanino në Shqipëri.

Sipas Presidentit, klasa politike shqiptare, edhe pse është ende e përfshirë në vorbullën e debatit dhe retorikës politike për çështje të ditës, i ka lexuar tashmë qartë mesazhet e Brukselit lidhur me përparimin integrues europian të Shqipërisë dhe reformat e domosdoshme në këtë drejtim.

Presidenti shprehu besimin se, përmes edhe vendosjes së urave të përbashkëta të komunikimit dhe dialogut institucional, klasa politike shqiptare do të dijë të reflektojë dhe të vendosë si përparësi të agjendës së saj politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë.

Topi nënvizoi se, “Duke ritheksuar se e ardhmja europiane e shqiptarëve dhe përmbushja e aspiratës së këtij populli për të qenë pjesë e familjes evropiane nuk duhet të vihet më në pikëpyetje nga mosmarrëveshjet e brendshme politike”.

Ai vlerësoi se politika do dijë në të ardhmen të dëshmojmë maturinë, përkushtimin dhe vullnetin e duhur politik për t’u reformuar e për të plotësuar të gjitha kriteret e integrimit në Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit të BE-së, Stefano Sanino, shprehu mirënjohjen për këtë takim me Presidenti Topi, duke vlerësuar veçanërisht rolin institucional e kushtetues të Kreut të Shtetit shqiptar në administrimin e situatës politike dhe institucionale aktuale, si dhe mesazhet e qarta dhe korrekte publike të bëra prej tij.

a.y/NOA

KOMENTE