English

Xhafaj dorëzon në Kuvend axhendën për ligjet me 3/5

Tiranë, 8 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Ashtu siç pritej, deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj i ka dorëzuar sot zyrtarisht Kryetares së Kuvendit axhendën e opozitës për ligjet, që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, raporton agjencia NOA.al.

Partia Socialiste propozon këtë paketë duke i kërkuar dorazi mazhorancës të nisin punën në mënyrë konstruktive për përmirësimin e këtyre ligjeve të kërkuara nga BE, që do të çonte, në mirëfunksionimin e Parlamentit dhe miratimin e reformave integruese për Shqipërinë.

Deputeti Xhafaj, i cili është përfaqësuesi i opozitës i vënë në krye të bisedimeve me përfaqësuesin e mazhorancës, Ilir Rusmali, bëri me dije se qëllimi i draftit të propozuar synon përmirësimin e ligjeve reformuese dhe jo shtimin e tyre në mënyrë formale.

Sipas Xhafajt, vendi ka nevojë për reforma tërësore dhe jo sa për të kaluar radhën, duke theksuar se për ligjet në fjalë lipset ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare.

Sikundër bëri me dije edhe më parë lideri i PS-së Edi Rama, Partia Socialiste trajton në këtë paketë të propozuar problemet shqetësuese të drejtësisë shqiptare, me qëllim çlirimin e institucioneve nga kthetrat e pushtetit, reformat në funksionimin e Parlamentit, pushtetit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, reformat në fushën ekonomike, etj.

Kryesocialisti Rama tha të hënën në mbledhjen e grupit kuvendor socialist se axhenda e socialistëve për ligjet me 3/5 bazohet në planin dhjetëpikësh për ta shndërruar Shqipërinë në një vend si gjithë Europa, i lançuar nga Rama në fillim të këtij sesioni parlamentar të vjeshtës.

Kryetari i opozitës deklaroi shprehimisht se “Për këtë javë të re parlamentare propozohet hapi i ri për ligjet me 3/5 e votave”, i cili do të jetë një axhendë pune për Komisionin e Ligjeve, ku do të detajohen afatet, e ku siç tha Rama nuk do t’i lihet hapësirë pazaresh mazhorancës.

“Të dorëzojmë pa humbur asnjë minutë, në Kuvend, një axhendë të specifikuar pune për Komisionin Parlamentar të Ligjeve me një rend çështjesh e afatesh, ashtu siç e kemi propozuar në parim. Për të mos i lënë më as edhe një mundësi palës tjetër që t’u ikë përgjegjësive të veta, për këtë aspekt të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe t’i bishtnojë paktit që ne kemi ofruar “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, dhe jo për një pazar me ta”, nënvizoi shefi i selisë rozë të hënën.

Për këtë axhendë pune po punojnë bashkarisht nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj dhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve, demokrati Ilir Rusmali.

PS bëri me dije dje se javën e ardhshme do të nisë puna për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Ky propozim është pranuar nga mazhoranca, bashkë me nisjen e punës për reformën zgjedhore.

mit/NOA

KOMENTE