Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA - ALBtelecom dhe Eagle Mobile mbështesin panairin e 14-të të librit, “Tirana 2011”, të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në mbështetje të Bashkisë së Tiranës. Ky aktivitet do të zhvillohet mes datave 9 dhe 13 Nëntor në Pallatin e Kongreseve, ku lexuesit shqiptarë do të njihen me botimet e reja të këtij viti. Panairi do të jetë një vendtakim i rëndësishëm për autorët dhe shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj.
Për lexuesit Panairi i Librit do të jetë hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes. Në ditën e fundit të panairit, më datë 13 Nëntor, do të shpallen fituesit e çmimeve të përvitshme si: “Autori i vitit”, “Përkthyesi i vitit”, “Libri më i mirë për fëmijë” dhe “Stenda më e mirë grafike”.
Ky nuk është aktiviteti i parë i Albtelecom dhe Eagle Mobile në mbështetje të librit shqiptar. Më herët në kuadër të “Vitit të Arsimit” të shpallur prioritet i 2011-ës për këto kompani, janë organizuar aktivitete të ndryshme që kanë në fokus edukimin. Projekti “Shkruajmë bukur shqipen tonë” si dhe dhurimi librave në disa shkolla të mesme dhe organizimi i konferencave shkencore në universitete publike dhe private kanë qenë disa nga aktivitetet e organizuara këtë vit.
a.q/NOA