English

Autoritetet në Kosovë dënojnë dhunën te “Kroi i Vitakut”

Prishtinë, 10 nëntor 2011, NOA – Autoritetet më të larta të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë atje, kanë dënuar dhunën e mbrëmshme pranë “Kroit të Vitakut” në Mitrovicën me shumicë serbe, ku gjeti vdekjen një kosovar e u plagosën tre të tjerë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi incidentin e dhunshëm duke theksuar se aktet e dhunës janë të patolerueshme dhe të papranueshme, dhe nuk i kontribuojnë arritjes së paqes dhe stabilitetit në vend, citon deklaratën e Presidencës, agjencia e lajmeve NOA.al.

Presidentja e Kosovës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të veriut të tregojnë maturi dhe qetësi, duke shtuar se çështjet në veri do të zgjidhen vetëm përmes institucioneve.

Në këtë suazë, kryetarja e shtetit, Jahjaga i kërkoi organeve kompetente të hetojnë rrethanat dhe të zbardhin incidentin duke nxjerrë para drejtësisë autorët.

Ndërkohë, po sot incidentin në fjalë e dënoi edhe përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, i cili deklaroi se vdekja e një personi është tragjedi për familjen e tij dhe komunitetin.

Feith bëri thirrje, që incidenti të mos shfrytëzohet si pretekst për të ngritur tensionin dhe frikën në rajon.

Ai inkurajoi qytetarët e veriut të Kosovës të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në ndihmë të zbardhjes së ngjarjes.

Për incidentin, ka reaguar edhe kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, i cili i gjykoi aktet e dhunshme si të papranueshme për një shoqëri demokratike.

mit/NOA

KOMENTE