English

Basha blen “Kurbanin” e Ramës

Tiranë, 9 Nëntor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha mori sonte pjesë në hapjen e Panairit të Librit në Tiranë. Duke vizituar stendat, ai është ndalur edhe tek ajo e botimeve Dudaj ku ka blerë librin e ish kryetarit të bashkisë së Tiranës, të cilit i zuri vendin pas zgjedhjeve të 8 majit.

Basha pasi bleu për një mijë lekë librin “Kurban”, bëri edhe një koment për gazetarë, në lidhje me librin e fundit të kreut të opozitës, Edi Rama.

“Në kontekstin që është shkruar, uroj që të shkruajë sa më shumë libra të tillë”, - tha Basha duke uruar që “Kurbanin“ e radhës ta shkruajë në vitin 2013”.

Dhe ky koment ishte as më shumë dhe as më pak, por “urimi” i z.Basha që z.Rama të humbë edhe në zgjedhjet e vitit 2013, pasi dihet se kryesocialisti e shkroi librin në periudhën qershor-korrik 2011 teksa numëroheshin votat për bashkinë e Tiranës, proces nga ku doli humbës.

Në këtë kuadër, Basha tha: “Mendoj se është një risi e mirë që pas shumë kohës që shkrimtarët janë futur në politikë dhe politikanët po i kthehen librit”.

Kurse duke u përqendruar tek “Kurbani” i Edi Ramës që mesa duket e kishte lexuar që para se të dilte sot në treg, tha se në këtë kuptim veçanërisht në kontekstin që është shkruar, uronte që të shkruajë sa më shumë libra të tillë”.

Panairi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha vlerësoi se panairi në të cilin për të katërtin vit radhazi NOA është partner mediatik, i jep qytetit tonë dimensionin e merituar të dijes dhe rrezatimit të saj

Basha shprehu mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për çdo aktivitet për botën e librit. “ Fakti që sot në këtë panair, janë ekspozuar edhe botime nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Gjermania, etj, i jep qytetit tonë dimensionin e merituar të dijes dhe rrezatimit të saj”, tha Basha.

Kryebashkiaku më pas vizitoi stendat e librave në panair duke takuar botues dhe shkrimtarë të shumtë mes tyre edhe politikanin Ben Blushin. “Ndërsa në vite shkrimtarët i janë drejtuar politikës, duket se ky panair po shënon për herë të parë një trend revrers, atë të drejtimit të shumë politikanëve drejt librit“ ,-tha Basha.

e.t/NOA

KOMENTE