English

Berisha – Ivanov: Bashkëpunim, të evitojmë krizën

Shkup, 9 nëntor 2011, NOA - Në vijim të vizites zyrtare në Maqedoni, kryeministri Berisha u takua me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, zotin Gjorgje Ivanov.

Sipas zyrës së shtyp të kryeministrisë, presidenti Ivanov i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha dhe e konsideroi vizitën e tij, si një rast të mirë për të vlerësuar progresin e marrëdhënieve dypalëshe, që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri. Presidenti Ivanov u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në nivele shumë të mira. Presidenti Ivanov theksoi se Shqipëria me programin e saj të investimeve në infrasrtukturën publike duhet të shërbejë si një shembull për vende të tjera në rajon. Në këtë kontekst, zoti Ivanov e cilësoi ndërtimin e infrastrukturës që lidh rajonin, në mënyrë të veçante Korridorin 8 dhe korridorin Adriatiko- Jonian, si dhe lidhjet hekurudhore mes vendeve te rajonit, si akse te zhvillimit te ri gjeopolitik, ekonomik e social në Ballkan dhe që i japin Ballkanit frymëmarrjen e nevojshme, në përputhje me zhvillimet dhe duke e shkëputur nga trashëgimia e të shkuarës. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin maqedonas Ivanov se për të dhe qeverinë shqiptare, përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhenieve bilaterale ka një rëndësi prioritare, duke theksuar se kjo rëndësi dyfishohet në kushtet e krizës aktuale botërore. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi se çdo ngadalësim i reformave dhe programeve te investimeve është i dëmshëm për të dy vendet e si rrjedhojë forcimi, shtimi dhe modernizimi i lidhjeve infrastrukturore, lehtësimi i barrierave doganore për kalimin e lirë të njerezve dhe mallrave dhe krijimi një hapsire tregu që përfshin Shqiperinë, Maqedonine Malin e Zi, Kosovën e më gjerë, do të çlirojë energjië e mëdha të këtij tregu, të cilat do të jenë mburoja ndaj krizës. Në takim të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim për rëndësinë e bashkimit të përpjekjeve për të lobuar pranë BE për financimin e projekteve të përbashkëta e me karakter rajonal, si një instrument i fuqishëm zhvillim.

a.q/NOA

KOMENTE