Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA – Gra aktive në jetën politike dhe publike dhe zyrtarë të lartë të partive politike në Shqipëri u takuan në Tiranë, në një konferencë dyditore të organizuar nga OSBE-ja për rritjen e rolit të grave në qeverisje.
“Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në politikë. Tepër gra të forta, të afta dhe energjike vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga postet e zgjedhura. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë në lidhje me respektimin e kuotës gjinore dhe të vendosin emrat e kandidateve gra në mënyrë më të spikatur në të gjitha listat zgjedhore”, tha ambasadori Ëollfarth.
Pjesëmarrësit diskutuan për barazinë gjinore në fusha të ndryshme të jetës publike dhe politike, me fokus të veçantë te përvoja e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre për pushtetin vendor të vitit 2011. Gjithashtu, ata shkëmbyen mendime se si mund të rritet roli i grave të zgjedhura në të ardhmen, veçanërisht përmes zbatimit dhe fuqizimit të kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor dhe se si t’u jepet një mesazh i qartë partive politike dhe institucioneve shtetërore për rëndësinë e mbështetjes së grave në politikë.
Veprimtaria ku morën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Topalli apo kryetari i PS-së Rama, u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në mbyllje të një projekti trevjeçar për rritjen e rolit të grave në qeverisje, të financuar nga qeveritë holandeze dhe suedeze.
a.q/NOA