Athinë, 10 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Lukas Papadimos do të marrë përsipër barrën e rëndë për të qeverisur Greqinë në katër muajt e ardhshëm dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pas më shumë se tri ditë negociatash, liderët politikë kanë rënë dakord që ish-zv/presidenti i Bankës Qendrore Europiane të udhëheqë kabinetin e qeverisë së koalicionit.
Vetë Papadimos ishte i pranishëm në takimin, që u mbajt gjatë paradites në zyrën e presidentit të vendit, Karolios Papulias.
Tashmë, pritet që, kryeministri i ri dhe kabineti i tij të bëjnë betimin dhe të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshja e 27 tetorit në Bruksel.
Kushtet e vendosura nga Papadimos:
Mbërritja deri në emrin e Lukas Papadimos nuk ishte dhe aq e lehtë për krerët e partive politike.
Ish-zv/presidenti i BQE-së, ka vendosur kushtet e tij për të pranuar postin e kryeministrit dhe drejtimin e vendit në një prej periudhave më të vështira të historisë së saj.
Kushti i parë i vendosur nga Papadimos ishte pjesëmarrja në qeveri e një spektri sa më të gjerë politik dhe prezenca në të, e personaliteteve nga Demokracia e Re.
Data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të jetë e diskutueshme dhe jo e paravendosur.
Dhe kushti i 3-të dhe kryesor, është nënshkrimi nga dy liderët kryesorë të politikës greke, ai i PASOK-ut, Jorgos Papandreu dhe ai i opozitës konservatore greke, Antonis Samaras, i një deklarate për votimin në parlament të marrëveshjes së huasë me Bashkimin Evropian.
mit/NOA
Në foton e parë: Lukas Papadimos
Në foton e dytë: Presidenti Karolios Papulias, kryeministri në detyrë Jorgos Papandreu, kreu i “Demokracia e re”, Antonis Samaras, , Jorgos Karaxaferis, kryetar i partisë LAOS
Në foton e tretë: Tre liderët kryesorë politikë dhe Lukas Papadimos