English

I gjendet kokainë në portofol, kapet trafikanti në kufi

Shkodër, 10 nëntor 2011, NOA – Një 47-vjeçar nga Durrësi është kapur me një qese me kokainë në portofolin e tij, ndërsa po kalonte në pikën kufitare të Muriqanit, për të shkuar drejt Malit të Zi, njofton agjencia e lajmeve NOA.al.

Policia e Shkodrës bëri me dije se arrestimi i Ndre Ndue Gjeçit, lindur në fshatin “Geziq” të rrethit Mirditë dhe banues në lagjen nr. 13, të qytetit Durrës u krye mbrëmë në Pikën e Kontrollit Kufitar Muriqan, në dalje nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi.

I arrestuari udhëtonte me mjetin e tij Benz-Mercedez C klas, me targë DR 0899 F dhe kishte si destinacion Italinë.

Gjatë kontrollit kufitar, në portofol iu gjet një qese plastike transparente, në të cilën kishte 6 gram kokainë.

Pas kapjes së tij, policia e qytetit në bashkëpunim me atë të Durrësit ushtruan kontroll në banesën e Gjeçit në Durrës, ku gjetën 10 pako të mbështjella me qese plastike me material bimor në gjendje të tharë, marijuanë, që peshonte gjithsej 6 kg e 134 gram.

Ndre Gjeçi u arrestua me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve.

mit/NOA

KOMENTE