English

Nishani: Uniforma, e miratuar nga vet forcat e policisë

Tiranë, 10 nëntor, 2011, NOA – Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u është përgjigjur në Kuvend akuzave për imitim të uniformës së policisë shqiptare nga ajo italiane.

Në interpelancën e zhvilluar me deputetin Gazmir Bizhga, Nishani u shpreh se simbolet e saj, ngjyra dhe shenjat janë miratuar nga një grup ekspertësh i vet Drejtorive të Policisë dhe të Akademisë së Rendit. “Për herë të parë në historinë e Policisë së Shtetit në vitin 2008, policia nisi punën për stilizimin dhe përcaktimin e modeleve të uniformës së saj.

Ishte një adaptim i uniformës aktuale të shtetit edhe në ngjyrë dhe nuk kishte të bënte me ngjashmëritë e uniformës së policisë italiane. Gradat, flamuri, stemat janë në përputhje me rregullat”, tha Nishani.

Ai u shpreh se gjithë procedurat dhe tenderët e ndjekur janë brenda afateve. “Uniformat aktuale janë shpërndarë në vitin 2006. Një kohë shumë e gjatë për një uniformë. Në vitin 2009 ka pasur procedura për uniforma të reja, të cilat kanë dështuar për shkak të parregullsive”, tha Nishai.

Ndërkohë që Bizhga u shpreh më pas se uniforma e policisë shqiptare “është një imitim i asaj italiane. Kjo gjë pranohet edhe me mburrje nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit”.

a.k/NOA

KOMENTE