English

Policia: Makina e Shullazit nuk është e Kuvendit

Tiranë, 10 nëntor NOA – Policia e Tiranës deklaron se në momentin e arrestimit, Emiljano Shullazi nuk ka qenë duke udhëtuar në një makinë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Me anë të një deklaratë për mediat, Policia thekson se makina në të cilën është arrestuar për armëmbajtje pa leje Shullazi është shitur nga Kuvendi kohë më parë.

“Në lidhje me automjetin tip “Benz” me targë TR.2703 L, i përdorur gjatë momenteve të kapjes në flagrancë për armëmbajtje pa leje, të shtetasit Emiljano Shullazi, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik se : Automjeti me targë TR.2703 L, nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi më datë 19 Shtator 2011 shtetasi Besnik Dogushi, ka blerë këtë automjet me ankand nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Policia e Tiranës sqaron se “Besnik Dogushi, automjetin me targë TR.2703 L e ka lënë për t’a shitur në servisin e “Mercedez Benz” në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis, Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësi”, thuhet në reagim.

Po sot për këtë çështje ka reaguar dhe Kuvendi i Shqipërisë me anë të Sekretarit të Përgjithshëm. Reagimi i dy institucioneve vjen pas publikimit të lajmit se Emiljano Shullazi, një person i njohur për problemet me drejtësinë, është arrestuar dy ditë më parë me një makinë zyrtare të Kuvendit.

a.k.NOA

Në Foto: Emiljano Shullazi

KOMENTE