Turqi, 10 nëntor 2011, NOA - Zëvendës kryeministri i Turqisë, Besir Atalaj, thotë se ekipet e shpëtimit i kanë nxjerrë 20 vetë të gjallë, nga gërmadhat e tri ndërtesave, që u shkatërruan nga një tërmet në pjesën lindore të Turqisë.
Ai ka njoftuar se 5 vetë e humbën jetën, ndërsa disa vetë ende janë të bllokuar nën rrënoja.
Atalaj tha se tërmeti i mbrëmshëm i ka rrëzuar 25 ndërtesa në qytetin Van, por vetëm tri prej tyre ishin të banuara, pasi banorët në ndërtesat e tjera ishin evakuuar, për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i para një muaji.
Vëzhgimi gjeologjik i Shteteve të Bashkuara kumtoi se tërmeti i mbrëmshëm në Van, ishte me intensitet 5.7 shkallë.
Tërmeti i së mërkurë ndodhi një muaj pas një tërmeti shkatërrues me 7.6 shkallë, në verilindje të qytetit Van, më 23 tetor, me ç’rast humbën jetën afro 600 njerëz.
Prej atëherë kanë ndodhur shumë dridhje të tokës, kështu që mijëra njerëz ende janë në kampe në kohë tejet të ftohtë.
NOA/RFE