Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino. Në bisedë, Kryetarja e Kuvendit i bëri një ekspoze të zhvillimeve më të reja parlamentare.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, në mënyrë të veçantë, biseda u përqendrua në çështjet që po negociohen, për reformën zgjedhore, rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin se proceset e reformave do të ecin përpara. Në mënyrë të veçantë ajo konsideroi se shqyrtimi dhe votimi me përparësi i projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, është guri i provës për opozitën, për të çliruar procesin e integrimit evropian nga bllokimi i padrejtë.
Kryetarja e Kuvendit siguroi se administrata e Kuvendit është e përgatitur tërësisht për të lehtėësuar punën e palëve për reformat.
a.q/NOA