English

Topi-Tileman: Pas NATO-s, të angazhuar për anëtarësim në BE

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi i tha sot këshilltarit të sekretares amerikane Klinton, se pas anëtarësimit në NATO Shqipëria është e angazhuar tërësisht për t’u anëtarësuar me të drejta të plota edhe në BE.

Zyra e shtypit e presidentit ka zbardhur takimin e zotit Topi me Këshilltarin e lartë të Sekretares amerikane të Shtetit për Shoqërinë Civile dhe Demokracitë e Reja, Tomikah Tileman.

“Është një angazhim i rëndësishëm që ne kemi ndërmarrë në këtë drejtim duke u përpjekur për të realizuar të gjitha kriteret e integrimit të BE-së. Në këto momente kërkohet intensifikimi i rolit të shoqërisë civile shqiptare duke përforcuar konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh gjatë takimit Kreu i Shtetit.

Gjatë takimit ku merrte pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, Presidenti i Republikës theksoi se vizita e Tileman është një tregues më tepër i mbështetjes dhe vëmendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë për të çuar më tej arritjet e saj demokratike, reformat gjithëpërfshirëse për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike duke përfshirë këtu shoqërinë civile, bazuar në standardet dhe përvojat e demokracive më të përparuara perëndimore.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në vendin tonë, duke vënë theksin në prioritetin e politikës së jashtme të Shqipërisë që, anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, së afërmi të pasohet nga integrimi i vendit në familjen e madhe evropiane.

Kryetari i Shtetit nënvizoi se “në këto njëzet vite demokracie, shoqëria civile shqiptare ka dëshmuar vlera dhe ka pasur një kontribut të pamohueshëm në bashkërendimin e qëndrimeve për shfaqjen dhe mbrojtjen e këndvështrimeve të saj për çështje të një interesi të veçantë e rëndësishëm publik, në situata nga më të ndryshmet”.

Sipas tij, është detyrë e institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, për të dëgjuar më shumë zërin e tyre dhe për të ndërvepruar me qëllim rritjen e standardeve dhe vlerave të demokracisë në shoqërinë shqiptare dhe institucionet e saj.

Ndërsa, Këshilltari i lartë i Sekretares amerikane të Shtetit për Çështjet e Shoqërisë Civile dhe Demokracitë e Reja, Tomikah Tileman, vlerësoi rolin kushtetues dhe institucional të Kreut të Shtetit për t’u dhënë zë dhe mbrojtur interesat e mbarë qytetarëve shqiptarë si dhe për promovimin e përkrahjen e vazhdueshme të shoqërisë civile në misionin e tyre ndërgjegjësues.

mit/NOA

Në Foto: Presidenti Bamir Topi dhe Këshilltari i Sekretares amerikane të shtetit, Tomikah Tileman.

KOMENTE