English

Wollfarth: Hiqini një vijë të shkuarës, tani nisni reformën zgjedhore

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA – Ndërsa pakti mes PS-PD për nisjen e reformës zgjedhore duket se është arritur ditët e fundit, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, i bëri thirrje partive politike, që tani e tutje, t’i heqin një vijë të shkuarës së ngërçit politik dhe të nisin punën për reformën zgjedhore, informon agjencia e lajmeve NOA.al.

Përmes një deklarate të bërë publike nga zyra e shtypit e ambasadorit të OSBE-së, zoti Wollfarth vëren se procesi i reformës zgjedhore ende nuk ka marrë udhë plotësisht. “Tani, është koha që t’i hiqet një vijë të shkuarës, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tani është koha, që partitë politike të mbajnë fjalën, me veprime të vërteta dhe konkrete”, nënvizon ambasadori i OSBE-së.

Ai deklaron se Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore, duke inkurajuar forcat politike të ngrenë sa më shpejt Komisionin për reformën zgjedhore.

Ambasadori i OSBE-së i përgëzoi të gjitha palët për nivelin e dialogut ndërpartiak, që është zhvilluar ditët e fundit.

“Tani, i nxis të gjithë të bëjnë edhe atë hap të mbetur, në mënyrë që, procesi i reformës zgjedhore të mund të fillojë, më në fund. Partitë politike duhet të synojnë miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore për të pasqyruar rekomandimet përkatëse të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), si dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, tha Wollfarth, duke garantuar gatishmërinë e prezencës së OSBE-së, për të dhënë kontributin e saj në procesin e reformës zgjedhore.

mit/NOA

Në foto: Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, gjatë një ceremonie.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi18:23 - 10 Nëntor 2011
    Nuk na ngelet gje vecse te shohim kush nga dy partite nuk desheron ti heqe vize te shkuares, duke mos vleresuar krejt shkaqet qe do perdore per kete mekat te ri,me pretekse te reja o te vjetra qe puna mos filloje.