Tiranë, 10 Nëntor 2011 NOA - Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë ka marrë një vendim që i heq të drejtën e fluturimeve kompanisë Albanian Airlines, ndërsa kjo e fundit denoncoi sonte se i ka kërkuar kësaj kompanie që klientët e saj t’ia kalojë kompanisë konkurrente Belleair.
Ky zhvillim u publikua sonte nga kompania Albanian Airlines përmes një njoftimi për shtyp, por ndërkohë kjo pritet të përkthehet në situatë kaotike për udhëtarët që kanë planifikuar fluturime në vende të ndryshme me këtë kompani:
“Ka ndodhur një veprim i padrejtë sot ndaj kompanisë Albanian Airlines, ku me një vendim pa paralajmërim të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë është revokuar certifikata e operimit ajror (AOC-Al 065)”, - njoftoi kompania.
“Kjo nënkupton bllokimin e operimit të kompanisë në një mënyrë të padrejtë, duke sjellë si pasojë anulimin e fluturimeve”, - bën të ditur Albanian Airlines.
Kurse vlerëson se heqja e kësaj certifikate bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Nacionale të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditorëve Ndërkombëtarë të Nënkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj, afat maksimal i mundshëm”.
Në këtë pikë vjen dhe komenti i kompanisë: “Kjo tregon që Albanian Airlines ka qenë gjithmonë konform rregullave të Bashkimit Evropian dhe në kooperim të mirë me Auditet dhe Autoritetet Shqiptare dhe të Huaj, çka është faktori më i rëndësishëm në sigurinë dhe besueshmërinë e operimeve”.
Por kompania denoncon publikisht dhe një fakt tjetër: “Veç këtij vendimi abuziv, Aviacioni Civil na ka “këshilluar” që të mbrojmë pasagjerët tek kompania konkurrente “Belle Air”.
Për kompaninë, “kjo është një shprehje e qartë e interesave klienteliste dhe konkurrencës së padrejtë”.
Kompania vlerëson se “forma dhe përmbajtja e kësaj letre është abuzive dhe sjell pasoja të pariparueshme të karakterit ekonomik dhe social, duke qenë kështu dhe një antireklamë e pamënjanueshme për kompaninë tonë. Kjo tregohet edhe me faktin që lajmi për revokimin e certifikatës Operimit Ajror u publikua në media, para sesa të mbërrinte në zyrat e kompanisë sonë”.
Shoqëria siguroi sot se ajo do të ndjekë “të gjitha rrugët ligjore të mundshme për të mbrojtur veten nga ky veprim i padrejtë, dhe në të njëjtën kohë siguron pasagjerët tanë që pavarësisht kësaj tentative për ta dëmtuar kompaninë Albanian Airlines, ne do të jemi këtu për t’u shërbyer atyre ashtu si u kemi shërbyer gjithmonë”.
Kompania dhe stafi i saj deklaruan se ata do të vazhdojnë punën e tyre për të zgjidhur këtë situatë, ndërsa kanë publikuar dhe lejen e datës 25 korrik 2011 që gjeni këtu.