English

Basha: Bashkia njësi shërbimi ndaj qytetarëve, investitorëve e biznesit

Tiranë, 11 nëntor 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha takoi sot një grup prej rreth 40 biznesmenësh dhe investitorësh, nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë pjesë e organizatës së biznesmenëve të rinj.

Gjatë takimit Basha u bëri një prezantim të gjitha projekteve, që parashikon të ndërmarrë në Tiranë si dhe reformave ekonomike e financiare, për ta bërë Tiranën, qytetin më atraktiv për investitorët e huaj.

“Po punojmë me IFC, për të pasur një “one stop shop” funksional për licenca dhe leje në Bashkinë e Tiranës. Muajin e kaluar, në mbledhjen Këshillit Bashkiak, me propozimin tim Këshilli Bashkiak vendosi heqjen e më se 60 tarifave dhe reduktimin e një pjese të madhe të taksave. Kjo shërben për të lehtësuar procedurat administrative dhe ka vetëm një qëllim, atë për ta bërë qytetin më miqësor për biznesin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë. Ne besojmë se zhvillimi ekonomik krijon mundësi për biznesin dhe krijon mundësi punësimi për qytetin dhe qytetarët si dhe ofrimin e shërbimeve më të mira nga Bashkia e Tiranës”, tha Basha.

Ai theksoi se Bashkia do të jetë një njësi shërbimi ndaj qytetarëve, investitorëve dhe biznesit, duke shtuar se Bashkia do të shndërrohet në një urë lidhëse mes biznesit dhe studentëve, të cilët janë një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e qytetit.

Sipas tij, Bashkia do të shërbejë si një njësi shërbimi për investitorët dhe bizneset, sepse siç tha ai biznesi dhe investimet janë partnerët më të mirë për qytetin dhe ku fokusi duhet të jenë interesat e qytetit.

Basha veçoi faktin se është përcaktuar një fond prej një milion euro nga bashkia për më shumë se 6 mijë praktikantë çdo vit.

“Anketimet nga USAID sugjerojnë se 60 % që i nënshtrohen stazhit kanë më shumë mundësi punësimi. Po ngremë një sistem informacioni, që administrohet nga agjencitë e tregut në shumicën e vendeve të Europës Perëndimore, për të informuar të interesuarit lidhur me kërkesën dhe ofertën e tregut. Të rinjtë dhe jo vetëm kanë nevojë për kurse kualifikimi dhe rikualifikimi, nga gjuhët e huaja e deri tek kurset profesionale, elektricistë, hidraulikë, zdrukthtarë etj. Këto kurse do të ofrohen nga Bashkia dhe për këtë po punojmë me partnerë të rëndësishëm dhe institucione të ngjashme nga Sllovenia e deri në Greqi e me gjerë në Evropë. Kjo politikë jo vetëm do të gjenerojë mundësi punësimi, por dhe mundësi të shumta për biznesin, duke identifikuar mundësitë për investime” theksoi Kryebashkiaku Basha. Ai nënvizoi se në majin e vitit të ardhshëm do të jetë gati plani urbanistik, në të cilin përfshihen një sërë projektesh strategjike të cilat do t’i japin një frymëmarrje të re qytetit dhe një mundësi më shume sipërmarrësve vendas dhe të huaj, për të investuar në Tiranë.

Biznesmenët dhe investitorët, të shoqëruar edhe nga stafi i Bashkisë panë nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Ata vizituan më pas edhe simbolin e Tiranës, Kullën e Sahatit. Ata u ngjitën në Kullën 181 vjeçare, 35 metra të lartë, duke pare prej andej Tiranën. Më pas, vizituan Ekspozitën e hapur, në ambientin e Muzeut të Orëve, Kulturë dhe Vazhdimësi”, ku janë paraqitur veshje të punuara dhe objekte, të cilat datojnë në fundin e viteve 1800, dhe punime të artizanatit të periudhës 1920 deri në çlirimin e vendit.

a.y/NOA

KOMENTE