Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me votat e maxhorancës projektin që i hap rrugë fillimit të hartimit të Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Tiranës si dhe projektit për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” dhe Xhaminë e madhe.
Me 29 votat e maxhorancës dhe kundërshtinë unanime të votave të opozitës këshilltarët e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës i kanë hapur dritën jeshile këtyre projekteve.
Ndërsa i vetmi projekt që i ka bashkuar këshilltarët e majtë dhe të djathtë ka qenë ai për ngritjen e komisionit për ndërtimin e xhamisë së madhe me unanimitet të plotë.
Xhamia e madhe e Tiranës pritet të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, pranë Parlamentit.
Në fjalën e mbajtur për Planin Urbanistik kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se, nuk ka pasur një Plan Urbanistik dhe mungesa e tij ka qenë shkak për problemet e shumta në Tiranë.
Duke iu drejtuar këshilltarëve të opozitës Basha tha se, “Në këtë Plan Urbanistik ju do të keni të drejtë të thoni atë që mendoni dhe të qytetarëve që përfaqësoni. Në përfundim të procesit do të keni të gjithë mundësinë të shprehni mendimin tuaj, nëse ka grupe që janë mënjanuar, apo të çdo shtrese të qytetarëve të Tiranës, ju kërkoj të jeni pjesë e procesit. Interesat e qytetarëve të Tiranës duhet të na bashkojnë”.
Më tej kryetari i grupit të Këshilltarëve socialist Aldrin Dalipi tha se, Plani Urbanistik i bërë nga një studio zvicerane prej 2 vitesh ndodhet në zyrën e Kryeministrit Berisha, me vlerë 2 milionë euro.
Siç informon Noa.al., Dalipi tha se, “Ne nuk kemi përgjegjshmërinë që të shkelim me këmbë fondet e donatorëve të cilët për publikun duhet të jenë transparente dhe që mund të çojnë në akte korruptive. Vota jonë si këshilltarë të opozitës do të jetë kundër”, u shpreh Dalipi.
Ndërkaq me 29 vota pro dhe 21 kundër u miratua edhe projekti për rehabilitimin e sheshit në qendër të Tiranës.
Nëpërmjet këtij projekti të Bashkisë, synohet kthimi i sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorët, por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore.
Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës
Më tej gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak me 29 votat e maxhorancës u miratua edhe Organika e Bashkisë së Tiranës si dhe rregullorja e bashkisë.
a.y/NOA