English

Biberaj në Gjermani: CDU dhe PPE mbështetje për lustracionin

Berlin, 11 nëntor 2011, NOA- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj ka marrë mbështetje nga CDU dhe Partitë Popullore Europiane për ligjin e lustracionit.

Kjo mbështetje ndaj tij ka ardhur në vijim të takimeve në Bundestagun Gjerman në Berlin, ku ish Zv-Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Aleksander Biberaj, është takuar me Arnold Vaatz, zëvendës kryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag.

Burime zyrtare afër Biberaj thanë për Noa.al se çështja kryesore e diskutimit ka qenë miratimi dhe aplikimi nga Shqipëria i ligjit të lustracionit.

Gjatë këtij takimi Biberaj është shprehur se "hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare dhe historisë, por edhe ndaj shtresës së ish-të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste ne Europë”.

Ndër të tjera ai ka shtuar se nëpërmjet transparencës të së kaluarës krijohen kushte për tu shkëputur një herë e mirë nga kjo e kaluar e errët, me synim ecjen përpara të shoqërisë dhe mbylljen graduale te kësaj historie nëpërmjet transparencës së plotë.

Nga ana e tij, Zv. Kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag Vaatz, garantoi mbështetje të plotë për miratimin dhe aplikimin e ligjit të lustracionit në Shqipëri, duke ofruar njëkohësisht edhe eksperiencën, përvojën dhe mbështetjen e CDU-se (Partia e Kancelares Gjermane Angela Merkel) si dhe te Partive Popullore Europiane.

a.y/NOA

KOMENTE