English

Ç'do të thotë të shkruash sot opinione të balancuara?

"Por unë përpiqem; përpiqem ta kuptoj se ç’është objektive e përpiqem të jem objektiv. Fjala vjen, kam qenë nga të parët në Tiranë (pas atyre që kanë qenë në stafin elektoral të tij, kuptohet) që kam nënvizuar faktin se Lulzim Basha bëri një fushatë elektorale shumë të mirë"

Nga Mustafa Nano

Në vijim të një opinioni të shprehur nga ana ime mbi 100 ditët e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë, me anë të të cilit nuk pajtohesha fare me pompat propagandistike që rreken të na mbushin mendjen se janë bërë punë të mëdha, më erdhi një koment nga një lexues që thotë: “Ndihet qartë një farë urrejtje e mërie e pajustifikueshme ndaj Lulzim Bashës, i cili, sipas mendimit tim, duke parë fushatën e zgjedhjeve e punën e deritanishme, meriton të jetë shembull për të gjithë politikën shqiptare”. E gjatë komentit që ish më i gjatë se kaq, dukej se donte të më thosh se po të isha pak më i balancuar, do të pëlqehesha nga më shumë lexues (komentin e lexuesit mund ta shihni online në linkun http://www.respublica.al/artikuj/2011/11/9/nga-napoleon-bonaparti-tek-lulzim-basha).

Lexuesi në fjalë ka hapur shumë tema me këtë koment, por unë po përpiqem të them diçka lidhur me këtë punën e opinionistit të balancuar. Nuk është se kam mendim të mirë për opinionet e balancuara, kur këto të fundit stisen qëllimisht si të tilla. Mendoj se në rastin e opinioneve të balancuara autori e ka mendjen, jo të thotë të vërtetat e veta, por ta mbajë mirë me palët; ose në rastin më të mirë, ta mbajë mirë me atë pjesë të lexuesve a të opinionit publik (të vlerësuar apriori si pjesa më e gdhendur), të cilët pëlqejnë tonet prore të shtruara dhe qasjen se s’bën konstruktive. Dhe në këtë mes nuk është problemi vetëm tek e vërteta që bëhet kurban i hesapeve apo vanitetit të njërit apo tjetrit, por edhe tek rruga që u hapet politikanëve me mendje të mbrapshtë. Nuk ka aleat më të mirë për këta të fundit se sa tonet e qeta, edukata, stili, klasi, dhe – të mos i ikim argumentit – hapërdamja e balancuar e kritikëve të tyre. Me kritikë të tillë, njëmijë vjet mund të rrinë në pushtet duke bërë ç’ua ka ënda.

Përveç kësaj, kam frikë se një opinion i balancuar është rëndom si një raport i mërzitshëm (i kini parasysh ato raportet e Brukselit, të OSBE-së të ODIHR-it etj., që nuk lënë gjë pa thënë e që problemin e kanë se nuk thonë asgjë?), e është ndoshta edhe për këtë arsye që nuk parapëlqej t’i shkruaj e t’i lexoj opinione të tilla. Unë dua të jem objektiv, dhe nëse ka rrethana kur të qenit objektiv e të qenit i balancuar puqen, atëherë le të jem dhe i balancuar. E vërteta është pra, se ka qëlluar të jem dhe i balancuar, por pa e kërkuar këtë gjë e pa e pasur si motivim apo pikëmbërritje. Ka plot të tjerë që e kanë motivim e qëllim të qenit në ekuilibër, të qenit të baraslarguar midis palëve, por një qëllim i tillë, sipas meje, i heq një opinioni forcën propozitive dhe kritike. Ah, po, mund ta kenë këtë forcë në rastin kur balancimi nuk është i llojit “ledhato majtas, ledhato djathtas”, por është i llojit “denonco majtas, denonco djathtas”. Ka momente që edhe vetë e bëj këtë gjë, por them se edhe këtij lloj ekuilibri i duhen dhënë munxët, kur është qëllim në vetvete. I duhen dhënë munxët, ngaqë nuk ka të bëjë me objektivitetin, i cili duhet me qenë busulla orientuese e njerëzve që japin opinione për publikun.

Do doja pra, që opinionet e mija të vlerësohen, jo mbi bazën e paanshmërisë, por mbi bazën e pavarësisë e objektivitetit të gjykimit. A jam unë gjithnjë objektiv? E di, është e pamundur të jesh gjithnjë e plotësisht. Nuk të lënë emocionet, lidhjet, miqësitë, besimet, kredot, madje dhe limitet në lëmin e dijes etj., të jesh objektiv 100% e objektiv në çdo rrethanë; ndonjëherë edhe nuk kuptohet mirë se çfarë është objektive. Por unë përpiqem; përpiqem ta kuptoj se ç’është objektive e përpiqem të jem objektiv. Fjala vjen, kam qenë nga të parët në Tiranë (pas atyre që kanë qenë në stafin elektoral të tij, kuptohet) që kam nënvizuar faktin se Lulzim Basha bëri një fushatë elektorale shumë të mirë, shumë më të mirë se sa ajo e Ramës, dhe solli një risi në stilin e fushatës. Nuk u mor me kundërshtarin dhe u mor me shpjegimin e atij programi që kish. Po kështu, jam shprehur pozitivisht për të në një numër situatash të tjera, në të cilat s’e kam pasur hiç të vështirë të veçoj o një sjellje të mirë të tij, o një performancë të lavdërueshme të tij, o një arritje të tij, e kështu me radhë.

Mirëpo, ka kohë që nuk është e lehtë për mua të them ndonjë fjalë të mirë për Lulzim Bashën, edhe kur ky i fundit mund të më shfaqet si gentleman, i fisëm, i zoti, apo ku e di unë se çfarë. Qysh nga 21 janari është kjo punë. Lulzim Bashën e konsideroj përgjegjës për atë që ndodhi në këtë datë, për vdekjen pra, të katër qytetarëve të pafajshëm, të parrezikshëm e të paarmatosur mu tek dera e kryeministrit, kundër të cilit kishin dalë për të protestuar si opozitarë. Lulzim Basha, o ka urdhëruar që të qëllohet mbi ata demonstrues, ose di gjithçka dhe hesht. Dhe ju lutem, mos më thoni që “iku tani ajo, të shkuara të harruara, lëre tani atë punë, nuk ka kuptim t’i kthehesh asaj historie, është një plagë që s’duhet hapur etj., etj”. Ajo ngjarje për mua s’ikën kurrë. 21 janari për mua është një vijë demarkacioni, e cila nuk është se ndan të majtët nga të djathtët, apo berishianët nga ediramistët, apo grupe të kësaj natyre. Jo, ajo ndan barbarinë nga moderniteti. Kush nuk pati fuqi të shock-ohej atë ditë, kush nuk tha një fjalë pas asaj që i panë sytë (e i plaçin që të dy, nëse s’ka parë gjë), e më pas, kundër mënyrës se si tentuan të na hidhnin hi syve (ju kujtohet? Thika me helm, stilolapsa pistoletë, çadra kobure etj), është bërë tok me ata që qëlluan. Dhe po kaq të rreshtuar në favor të vrasësve kanë qenë dhe ca birbo që shkruajnë opinione medemek të balancuara, të cilët kanë nënvizuar në vijimësi: kanë faj ata që kanë shtënë apo kanë urdhëruar të shtihet, por ka faj dhe ai që i çoi atje “në atë thertore”.

Dhe këtu dola prapë (qëllimisht) tek opinionet e balancuara. Data 21 janar, edhe e vetme, është datë që mjafton për t’më ndarë njëherë e mirë, apo për t’më bërë tok, me njerëzit. Unë përsëris se nuk e harroj atë datë, dhe kjo më bën të mos harroj që jemi përballë një regjimi që s’e ka për gjë edhe të vrasë për të mbajtur pushtetin. E në këto rrethana, nëse ka një gjë pa kuptim, shpeshherë dhe të poshtër, është të bësh apo të kërkosh opinione të balancuara. Sepse bëhet një pyetje: Si është e mundur që të shock-on një opinion i pabalancuar në gazetë, dhe nuk të ka shock-uar ngjarja e 21 janarit, ku u vranë si dele (si ajo delja që Lul-jotët therën mu te dera e bashkisë) katër njerëz?

Gazeta "Shqip"

KOMENTE