Tiranë, 11 nëntor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto priti sot në takim Kongresmenin Gary Peters.
Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit vlerësuan maksimalisht nivelin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve, duke i konsideruar ato si marrëdhënie mes aleatësh, si dhe shprehën synimet që këtij niveli duhet t’i përgjigjen edhe marrëdhëniet në fushën ekonomike.
Haxhinasto vlerësoi arritjet e forumit të biznesit në New York, dhe kërkoi që tashmë për investitorët amerikanë, Shqipëria nuk duhet konsideruar një treg i mbyllur, por falë projekteve infrastrukturore dhe marrëveshjeve me fqinjët, tashmë është një treg rajonal në zgjerim. Ai sugjeroi që investitorët amerikanë të bashkëpunojnë në investime të tilla si energjia, mineralet, turizmi si dhe industria e shërbimeve.
Për sa i përket situatës në rajon u theksua se dialogu Kosovë- Serbi duhet të vazhdojë pa kushtëzime në dobi të prosperitetit dhe prioriteteve integruese që kanë këto vende.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje, duke vlerësuar rolin e qeverisë dhe faktorit shqiptar në stabilitetin rajonal.
a.y/NOA