English

HEC-et, METE zgjidh kontratat me 12 shoqëri koncensionare

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA - (Update) Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, vendosi sot zgjidhjen e kontratave në mënyrë të njëanshme, me 12 shoqëri koncensionare për ndërtimin e HEC-eve.

Vendimi i METE-s erdhi pas mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga këto shoqëri, prej disa vitesh.

Sipas ministrisë së Ekonomisë, kompanitë kanë shkelur sigurinë e kontratës, ku koncensionari duhet të ketë ngurtësuar në një institucion bankar, ose shoqëri sigurimesh, 10% të vlerës totale të investimit.

Nga ana e tij, Ministri i METE, Nasip Naço, shprehet i vendosur në zbatimin e ligjit dhe të kontratave mes shtetit shqiptar dhe shoqërive koncensionare. “Jam në krah të investuesve për çdo problem të tyre që ka lidhje me sistemin, apo me burokracitë e ndryshme, por nuk do të toleroj mosrespektimin rigoroz të kontratave. Do të jem përherë një kundërshtar i rreptë i informalitetit. Askush nuk mund të luajë me pasurinë e shtetit duke e mbajtur këtë pasuri të konservuar”, deklaron ministri Naço.

Shoqëritë që u zgjidhet kontrata:

Shoqëria Koncensionare “Pure Energy Stebleva”, sh.p.k, e cila është kontraktuar për ndërtimin e hidrocentralit “Steblevë” me vlerë 159.680.320 lekë me fuqi 3400 kë. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE për zbatimin e kontratës me shkresën nr. 9886, të datës 15.11.2010, si dhe me shkresën nr.4235, të datës 7.6.2011.

Shoqëria koncensionare “Energji Univers” sh.p.k, e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Kabash 1”, “Kabash 2” me vlerë investimi 671.000.000 lekë me fuqi 5800 kw. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE për zbatimin e kontratës me shkresën 6116, datë 29.6.2010 dhe me shkresën nr. 5228, të datës 14.7.2011

Shoqëria koncensionare “Strelca Energy”, sh.p.k, e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Strelca 1” dhe “Strelca 3” me vlerë investimi 601.751.000 lekë me fuqi 8300 kw. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE shkresën nr. 7602, të datës 24.10.2011.

Shoqëria koncensionare “Albania Power” sh.p.k e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentralit “Martanesh” me vlerë investimi 120.000.000 me fuqi 8800 kw. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE me shkresën nr 3404, datë 8.0.4.2010, shkresa nr. 4339, datë 14.6.2011, shkresa 4439/1, datë 6.10.2011.

Shoqëria “Geoalbania Uno”, sh.p.k e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Progonat Lekdush” dhe “Bënçë e Sipërme” me vlerë investimi 929.146.830 me fuqi 6700 kw. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE me shkresën nr. 9054/3, datë 28.12.2010 si dhe shkresën me nr 4451 të datës 14.6.2011.

Shoqëria koncensionare “Erald Energjitik” sh.p.k e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Shemri” dhe “Mgullë”, me vlerë investimi 69.026.908 me fuqi 1080 kë. Kjo shoqëri është njoftuar me shkresën nr. 6160, të datës 30.6.2010, dhe shkresën nr. 5171, të datës 12.7.2011.

Shoqëria koncensionare “Rajan energy” sh.p.k, e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Arrëz”, “Shëndelli”, “Sotirë”, “Pode”, “Mesare”, “Ura”, “Rajan 2”, “Dedovë”, “Peshtan”, “Osnati” dhe “Gradisht” me vlerë 837.404.386 lekë me fuqi 6830 kw. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE me anë të shkresës nr. 9341, të datës 22.10.2010, dhe me shkresën nr. 4441, të datës 14.6.2011.

Shoqëria konçensionare “Eko Energy” sh.p.k, e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentralit “Zerec”, me vlerë investimi 120.311.959 lekë, me fuqi 1000 kË. Eshtë lajmëruar nga METE me anë të shkresës nr. 6318/2, të datës 29.07.2010, dhe shkresës nr. 4481, datë 15.6.2011.

Shoqëria konçensionare “Bistrica 3 Energy” sh.p.k, e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Bistrica 3” dhe “Bistrica 4” me vlerë 756.400.000 me fuqi 2905 kë. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE me anë të shkresës nr 3189 të datës 18.4.2011, shkresa 3189/1 datë 15.6.2011, shkresa nr. 3189/5, datë 5.8.2011, dhe shkresa nr. 3189/7, datë 23.9.2011.

Shoqëria koncensionare “Veleshica energy” sh.p.k e kontraktuar për ndërtimin e hidrocentraleve “Veleshica 1”, “Veleshica 2”, “Veleshica 3”, “Veleshica 4”, “Veleshica 5”, “Veleshica 6”, “Sllovë”, dhe “Bjeshkë” me vlerë 3.101.801.814 lekë me fuqi 24920 kë. Kjo shoqëri është njoftuar nga METE me anë të shkresës nr 10218 të datës 23.11.2010 dhe shkresën nr 4046 datë 31.5.2011

Shoqëria konçensionare “HEC-i Peqin” sh.p.k i kontraktuar për ndërtimin e hidrocentralit “Peqin” me vlerë 521.573.382 lekë me fuqi 4100 kw. I lajmëruar nga METE me shkresën nr 9344 të datës 22.10.2011 dhe shkresën nr.6561 të datës 15.9.2011.

Po ashtu METE ka prerë në mënyrë të njëanshme kontratën me shoqërinë konçensionare “Ansara koncension” sh.p.k, e kontraktuar për rehabilitimin e HEC-it “Labinot-Mal-Elbasan”. Nga Autoriteti Kontraktues kjo shoqëri është njoftuar se po shkel kontratën në shkresën nr. 6761, të datës 23.9.2011. Kjo shoqëri, sipas pikës 6.12 të kontratës, duhej të zbatonte projektin për rehabilitimin e HEC-it “Labinot Mal-Elbasan”, me fuqi të vendosur 250 kw. Pas monitorimit në terren nga AKBN, rezultoi se agregati ishte po ai egzistues me fuqi 75 kw. Po ashtu, është shkelur pika 6.11 që e detyronte koncensionarin të paraqiste projektin e zbatimit brenda 2 muajve deri më datën 25.6.2008.

METE bën të ditur se po përgatitet dokumentacioni edhe për shoqëri të tjera koncensionare që nuk zbatojnë kontratat, pavarësisht lajmërimeve.

NOA

KOMENTE