English

Këshilli Bashkiak i jep “OK” startit për Planin Urbanistik

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në vijim të mbledhjes të Këshillit Bashkiak ku u diskutua dhe u bënë debate për planin urbanistik, pak çaste më parë ai u përball edhe me votim.

Me 29 votat e maxhorancës pro dhe 24 votat e opozitës kundër iu hap rrugë fillimit të hartimit të Projektit për Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Tiranës.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se, nuk ka pasur një Plan Urbanistik dhe mungesa e tij ka qenë shkak për problemet e shumta në Tiranë.

Duke iu drejtuar këshilltarëve të opozitës Basha tha se, “Në këtë Plan Urbanistik ju do të keni të drejtë të thoni atë që mendoni dhe të qytetarëve që përfaqësoni. Në përfundim të procesit do të keni të gjithë mundësinë të shprehni mendimin tuaj, nëse ka grupe që janë mënjanuar, apo të çdo shtrese të qytetarëve të Tiranës, ju kërkoj të jeni pjesë e procesit. Interesat e qytetarëve të Tiranës duhet të na bashkojnë”.

Më tej kryetari i grupit të Këshilltarëve socialist Aldrin Dalipi tha se, Plani Urbanistik i bërë nga një studio zvicerane prej 2 vitesh ndodhet në zyrën e Kryeministrit Berisha, me vlerë 2 milionë euro.

Siç informon Noa.al., ai theksoi se këshilltarët socialist nuk mund të bëhen pjesë e këtij plani sepse zëri i qytetarëve dëgjohet duke pasur transparencë për fondet që janë hedhur dhe qytetarët duhet të dinë më mirë për to.

“Ne nuk kemi përgjegjshmërinë që të shkelim me këmbë fondet e donatorëve të cilët për publikun duhet të jenë transparente dhe që mund të çojnë në akte korruptive. Vota jonë si këshilltarë të opozitës do të jetë kundër”, u shpreh Dalipi.

Ndërkaq kryebashkiaku Basha u kërkoi këshilltarëve socialist që të rikonsiderojnë dhe njëherë realizmin e vendimit kundër nismës së Planit Urbanistik të Tiranës, pasi tha se nuk duhet të përfaqësojnë interesat e kryesocialistit Rama, duke shtuar se nëse është e nevojshme edhe një kohë pushim.

a.y/NOA

KOMENTE