English

Kongresmeni Peters: Sfidat e Ramës si të Obamës

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama takoi pasditen e sotme një delegacion nga Uashingtoni i përbërë nga Kongresmeni amerikan Gary Peters, Koordinatori për Këshillin e Shqipërisë dhe Shef Stafi i Kongresmenit Elliot Engel Jason Steinbaum, Kryetari i Bordit të Këshillit shqiptaro - amerikan Martin Shkreli, të shoqëruar nga Ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksander Arvizu.

Gjatë takimit Rama, foli me politikanët amerikanë për Kongresin e 5 nëntorit, për programin e ri të Partisë Socialiste, i cili siç tha ai do të kthejë një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë.

Rama foli edhe mbi taksat progresive, pjesë e rëndësishme e programit të ri, mbi shërbimin shëndetësor universal dhe theksoi vizionin që partia që ai drejton do të ketë për arsimin profesional dhe bujqësinë.

Kongresmeni Peters i krahasoi këto sfida të njëjta me ato të Presidentit Obama, duke inkurajuar një vendosje të barazisë sociale. “Në Amerikë, flitet për 99% të të indinjuarve, Partia Socialiste flet gjithashtu për 95% që kanë më pak se 5% ", theksoi Rama.

Nga ana e tij ambasadori Arvizu, vlerësoi dhe falenderoi Ramën për theksin e tij gjatë fjalimit në Kongresin e Partisë Socialiste, për sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

a.y/NOA

Në foto: Kongresmeni amerikan Gary Peters

KOMENTE