English

“Kurban”, Berisha: Zoti shpëtoftë letrat nga politikanët e dështuar

Tiranë, 11 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha pak çaste më parë u ndal në Panairin e librave në Pallatin e Kongreseve, ku përgëzoi dhe shprehu admirimin e thellë për botuesit shqiptar, shkrimtarët, poetët dhe eseistët e vendit, për botimet e shkëlqyera që paraqitën në këtë panair.

Ai e cilësoi panairin si një ndër më të pasurit që është hapur ndonjëherë, ku përshëndeti organizatorët e panairit dhe shprehu kënaqësinë që lexuesit e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë kanë treguar dhe tregojnë për librin, ku theksoi se raporti me librin po njeh rritje të mëdha.

Ai e cilësoi këtë panair si një ogur të madh për mbarë shqiptarët, si një dëshmi e ngjitjes së tyre në rrafshin më të rëndësishëm, në rrafshin e pasurisë së tyre më të madhe, në rrafshin kulturor apo të identitetit të tyre kombëtar.

Siç raporton Noa.al, lidhur me librin “Kurban” të kryesocialistit Edi Rama ai u shpreh se, “Nuk ishte e paqëllimtë evitimi i tij, sepse unë jam një libërdashës, por më mbetet të them vetëm kaq, zoti i mbrojtë letrat tona nga politikanët e dështuar, por zoti e do politikën dhe po e mbron nga shkrimtarët e dështuar. Nuk meritojnë ndonjë vlerësim të madh ata që dështojnë në politikë dhe zbresin te letrat për të gjetur strehë, por ato nuk janë për strehë për të dështuarit. Ndaj u mora me shkrimtarët e vërteta dhe lashë mënjanë dështakët”, u shpreh Berisha.

Ndërsa duke krahasuar librin e kryesocialistit Rama dhe deputetit të selisë rozë, Ben Blushi, ai tha se janë dy raste të ndryshme duke mos dashur të përfshihet në rivalitetin mes Blushit dhe Ramës, sipas tij librat e tyre nuk janë e njëjta gjë, sepse biblioteka e Blushit është shumë më e pasur.

a.y/NOA

KOMENTE