Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA- Pak çaste më parë ka nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak në të cilin pritet të shqyrtohen 7 projekte të Kryebashkiakut Basha. Këto projekte kanë të bëjnë më zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në një njoftim të djeshëm të Bashkisë përmenden, krijimi i një linje të re autobuzi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti.
Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit. Projekti tjetër ka të bëjë me krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re.
Një projekt tjetër është ai që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet.
Një tjetër projekt është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit, pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme.
Projekt tjetër që i propozohet Këshillit, është edhe ai që ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën, që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.
Ndërkaq që në fillim të tij Kryetari i Këshilltarëve socialist, Aldrin Dalipi u shpreh se para çdo mbledhje është e domosdoshme mbledhja e grupeve përfaqësues në Këshill.
a.y/NOA