English

Njëqind ditët e Bashës të para nga larg

Sado e lartë të jetë kodra dhe pemët përreth Skënderbeut, nuk duhet të na e pengojnë pamjen aq sa për të mos e kuptuar e thënë se projekti Basha për sheshin “Skënderbej” është një zgjidhje e përkohshme, derikur të miratohet plani i ri

Nga Alfred Lela

Mund të hasësh këto ditë një oponencë laramane ndaj imazhit që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, po i jep sheshit “Skënderbej”. Ankohen ata kryesisht për asfaltin, shtresëzimin e tij të çuditshëm dhe jo cilësor e të tjera gjëra kësilloji. Kur u përmend se ajo shtresë asfalt nuk është dorë e fundit, ata hidhen te pemët e sesi ato ia zënë pamjen kalit të Heroit; sesi kodra është bërë mal që i shëmbëllen bjeshkës në fshatin e atyre që e kanë ideuar, e kështu me radhë.

Lulzim Basha, kryetari njëqindditësh i Bashkisë së Tiranës, ka filluar të akuzohet në gjyqe të vogla, ambulante, që mbijnë sa në media e sa në diskursin e përditshëm popullor, se pse ka zgjedhur të jetë eficent; se pse ka zgjedhur të menaxhojë mikro, duke mos ia ndarë vështrimin horizontit makro; se pse stili i tij, tani që fushata elektorale ka mbaruar, nuk e ka më atë vezullimin entuziast. Në fakt, nëse kish ndodhur e kundërta duhet të ishim shqetësuar. Duhet të kishim protestuar nëse z.Basha do ta vazhdonte komunikimin lajle-lule me fjalë plot e torbën bosh.

Nuk e kemi parë kryetarin e ri të bëjë ndonjë farë ekzibicioni qysh prej Ditës pa Makina, kur ai u dha në krye të bulevardit në mes të një pjese të ekipit të tij, hipur në biçikletë, i buzëqeshur. Po të mos ishte grija dhe rrëmuja kandahariane e sheshit në krah, mund të gënjeheshe se pamjet vinin nga Amsterdami. Por kaq u mbyll me aq. Basha u tërhoq në kullën e bashkisë, prej nga ka dalë herë pas here, o për të komunikuar marrëveshjen mbi legalizimet e tapitë, o për të dëshmuar fjalëmbajtje në lidhje me premtimet për Kartën e Studentit.

Por të kthehemi te sheshi dhe ajo që u përmend në krye si eficencë e kryebashkiakut të ri. Sado e lartë të jetë kodra dhe pemët përreth Skënderbeut, nuk duhet të na e pengojnë pamjen aq sa për të mos e kuptuar e thënë se projekti Basha për sheshin “Skënderbej” është një zgjidhje e përkohshme, derikur të miratohet plani i ri. Dhe një zgjidhje e përkohshme duhet respektuar brenda natyrës së vet. Për të mos harruar, sigurisht, se një nga detyrat primare dhe të shenjta të një qeveritari (vendor në rastin tonë) është edhe zbutja e një procesi ose proceseve të tranzicionit. Këtë po bën edhe z.Basha me lifting-un e pjesshëm: ai po ofron një zgjidhje tranzitore për të zbutur tranzicionin.

Është e nevojshme ta marketojmë këtë të vërtetë, jo vetëm pse është e tillë, por edhe se i bën mirë raporteve tona me qytetin si strehë e përbashkët. Nën këtë strehë, kultura e negativizmit vetëm sa do ta helmonte edhe më tej bashkëjetësën tonë me njëri-tjetrin, me institucionet dhe me vetë qytetin si të tillë.

Njëqind ditët e para të z.Basha janë kryesisht ditë “vetmie”, por duhet të bëjmë pyetjen: a mos vallë po paragjykojmë një kryebashkiak që luan kryebashkiakun bash për atë se paraardhësi i tij luante politikanin? Mund të jetë edhe kjo, siç mund të jetë edhe nevoja e krijimit të distancës me ngjarjet dhe personazhet. Një skenar do të ishte të gjykuarit e 100 ditëve të Lulzim Bashës nga perspektiva dhe distanca e katër vjetëve më pas. A do të merrnim guximin që ta respektonim Bashën edhe nga pozitat e kundërshtarit, duke e imituar atë frazën e tij të fillimfushatës së zgjedhjeve të shkuara vendore, kur u shpreh “në krye të herës Edi Rama i ka bërë ca punë të mira”? Apo do të jemi zhvendosur edhe më ideologjikisht e do të bëjmë sikur distanca mes nesh dhe Kryetarit është estetike? Do rrojmë e do shohim.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE