Athinë, GREQI, 11 nëntor 2011, NOA - Kryeministri i ri grek, i cili do të drejtojë qeverinë kalimtare të vendit, Lucas Papademos, thotë se vendi i tij ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se nuk do të jetë e lehtë zgjidhja e problemit të borxhit me të cilin po ndeshet ekonomia greke.
Dje udhëheqësit politikë grekë emëruan zyrtarisht Papademosin, ish-nënpresident i Bankës Qendrore Evropiane, si udhëheqësin e qeverisë së përkohshme, i cili do ta udhëheqë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ndoshta vitin e ardhshëm. Kryeministri grek Xhorxh Papandreu i dorëzoi atij përgjegjësinë për zbatimin e masave të rrepta ekonomike, të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, në shkëmbim të një ndihme tjetër për pagimin e borxhit që ka Greqia.
Papademos, i cili do ta bëjë betimin si kryeministri i ri i vendit sot, tha se para tij ka një rrugë aspak të lehtë, për t’u përshkruar. Por ai tha se vazhdimi i përdorimit të Euros është një garanci për stabilitetin monetar të vendit dhe se grekët duhet të jenë optimistë për rezultatin përfundimtar, nëse qëndrojnë të bashkuar.
Ekonomisti grek i shkolluar në Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka kandiduar ndonjëherë për post zyrtar, shihet gjerësisht si një personalitet jo partiak. Analistët thonë se ai ka lidhje të mira në kryeqytetet evropiane.
Më herët, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Toner tha se Shtetet e Bashkura presin me kënaqësi të punojnë kryeministrin e ri dhe se Greqia është një partnere e rëndësishme dhe mike e vjetër e Ameriks. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin konsensusin e arritur në Greqi për nevojën e zbatimit të reformave të këruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.
NOA/VOA