English

Parashikimi i motit për 11 nëntor 2011

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, nesër, në pjesën më të madhe të vendit tonë do të dominojnë vranësirat ku më të zhvilluara do të jenë në jug, juglindje si edhe një pjesë të qendrës së territorit duke gjeneruar shira të karakterit lokal. Ndryshe paraqitet pjesa veriore e cila do të ketë kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme.

Gjatë pjesës së dytë të ditës sërish do të vazhdojnë të jenë prezente shirat e dobët në Jug dhe Juglindje ndërsa pjesa tjetër e vendit do të karakterizohet nga vranësira dhe intervale te shkurtra kthjellimesh. Situata meteorologjike do të përmirësohet në orët e mbrëmjes duke larguar gradualisht vranësirat dhe reshjet nga i gjithë vendi.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë si në vlerat e mëngjesit edhe në të mesditës. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe det me shpejtësi 35 km/h dhe drejtim veriperëndimor duke bërë që në Adriatik dhe Jon të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.

Europa

Sërish nesër pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të ndodhet në kushtet e motit të qëndrueshëm pasi kthjellimet do të jenë dominuese. Ndërsa Europa Jugperëndimore dhe Jugore do të mbeten me vranësira dhe reshje shiu. Reshje të dendura shiu do të ketë në Portugali ku problematike do të paraqitet dallgëzimi i lartë në det si pasojë e stuhive të forta të erës. Ndërsa gjatë pasdites vranësirat do të fuqizohen në pjesën veriore të Spanjës duke bërë që shirat e dendur të përfshijnë edhe këtë vend. Gjithashtu reshje të dobëta shiu do të ketë në Jug të Italisë dhe në Greqi. Në Europën Lindore do të ketë dëborë gjatë gjithë ditës e cila do të sjellë probleme në trafikun rrugor pasi dhe temperaturat do të pësojnë rënie në këto rajone. Vendet e Europës Qendrore të mbulohen nga mjegulla e dendur gjatë natës e cila do të largohet gradualisht në orët e para të ditës.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Portugalia rrezikohet për rrebeshe shiu dhe dallgë të larta

- Spanja do të rrezikohet për reshje shiu dhe stuhi ere

- Europa Lindore do të ketë reshje dëbore

a.y/NOA

KOMENTE