English

Pavarësia, Berisha: Historianë, nxirrni në shesh të vërtetat historike

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e Qeverisë e nisur pak më parë Kryeministri Berisha u shpreh se 28 nëntori shënon fillimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë duke e cilësuar si një akt madhor.

“Është themeli mbi të cilin janë ngritur dhe ndërtuar të gjitha ngjarjet e mëdha në historinë e kombit shqiptar. Ky vit duhet të shënohet me veprimtari ndër më të shumtat, në nderim të sakrificës kombëtare për liri dhe dinjitet për vendin e pavarur. Në 100 vjetorin e Pavarësisë duhen nderuar burrat e shquar të kombit që themeluan me veprën e tyre, shtetin e ri shqiptar”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se duhet të nderohet Mbreti i Parë i shqiptarëve i cili bëri të mundur që Pavarësia të shndërrohet në një realitet, të konsolidohet, që siç tha ai ndonëse themelet e shtetit u hodhën në Vlorë, ato u konsoliduan gjatë mbretërisë së Zogut të Parë.

Sipas tij, është e domosdoshme që të dalin në dritë të vërtetat historike. Në këtë linjë ai u bëri një apel historianeve duke thënë: “Uroj që ky 100 vjetor të jetë një frymëzim i madh për historianët shqiptarë për të bërë atë që nuk kanë bërë të nxjerrin në shesh të vërtetat historike”.

Ai tha se ky përvjetor është përvjetor i gjithë shqiptarëve dhe se ai duhet organizuar si një festë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë në të katërta anët e botës, sepse sipas tij pavarësia ishte vepra më madhore e mbarë kombit shqiptar.

Berisha tha se do ketë një koncert mbarë shqiptar si nëj simbolikë që duhet të ekzekutohet në të gjitha trojet shqiptare ku jetojnë shqiptarë, për të shprehur nderimin për të gjithë ata që bënë të pamundur Pavarësinë e Shqipërisë.

Në vijim ai tha se për 100 vjetorin e Pavarësisë do të hapet konkursi për monumentin e Pavarësisë.

Ndër të tjera ai tha se viti që nga 28 nëntori i viti 2011 e deri në 28 nëntor të vitit 2012 do të jetë viti i 100 vjetorit të Pavarësisë.

a.y/NOA

KOMENTE