Paris, 11 nëntor 2011, NOA/Altin B.Kodra- Në Paris po zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur, ku për Shqipërinë të enjten kanë garuar Hysen Pulaku dhe Erkand Qerimaj. Ndërkohë që 18-vjeçari Pulaku ka spikatur në debutimin e tij të parë në këtë nivel, duke u renditur i 7-ti në botë, Erkand Qerimaj ka zhgënjyer, përkundër pretendimeve të tij zhurmëmadhe para këtij kampionati, duke mos shkuar dot më larg se vendi i 11-të.
Peshëngritja shqiptare vazhdon konkurrimin e saj në kampionatin Botëror të Të Rriturve dhe të enjten janë ngjitur në pedanë Hysen Pulaku dhe Erkand Qerimaj, të cilët kanë garuar në kategorinë e peshës trupore deri në 77 kg. Dhe ashtu sikundër kishte bërë në Kupën e Shqipërisë para disa javësh, ku kishte thyer rekordin e Qerimajt dhe Ilir Sulit, 18 vjeçari Pulaku ka treguar se është e ardhmja e këtij sporti, duke u renditur i 7-ti në botë dhe duke fituar bastin personal me Qerimajn.
Pulaku ishte i pandalshëm në veprimtarinë e dytë të shtangës shqiptare, ku Qerimaj mungoi, duke thyer rekordin e këtij të fundit në stilin e shtytjes, me 197 kg, ndërsa në shkëputje pati ngritur 155 kg dhe 353 kg në dygarësh. Pas thyerjes së këtij rekordi, Qerimaj i pati dërguar një sms ku me sarkazëm e ftonte ta sfidonte në Botërorin e Parisit. Dhe 18-vjeçari ka bërë pikërisht këtë, duke e sfiduar dhe duke e mundur 23-vjeçarin Qerimaj edhe në arenën botërore.
Në stilin e shkëputjes, Pulaku ka dështuar në provën e parë me 153 kg, por ka vijuar ta ngrejë me sukses këtë peshë në provën e dytë. Elbasanasi ka dështuar në provën e tretë me 158 kg, që do ta ngjiste atë në vendin e katërt dhe do ta mbante në luftë për një vend në podium në dygarësh. Megjithatë 153 kg e ngritura i ka dhënë atij vendin e 8-të në këtë stil, kundrejt vendit të 11-të të marrë nga Qerimaj.
Shkodrani ka dështuar në provën e parë me 152 kg, por e ka ngritur me sukses atë në të dytën, duke dështuar në të tretën me 155 kg, që mund ta ngrinin pak më lart në renditje. Ndërkaq, në stilin e shtytjes, mungesa e përvojës ka bërë që Pulaku të dështojë në dy provat e para me 187 kg. Zhgënjimi i tij ka qenë i dukshëm dhe madje ai, i kthyer me kurriz nga kamerat, ka patur edhe lot në sytë e tij.
Megjithatë, ai i ka fshirë lotët dhe është rikthyer në pedanë, ku, nën udhëzimin e trajnerit të tij, Sami Pulaku, i riu elbasanas ka guxuar mjaft në provën e tretë, por duke ngritur me sukses 188 kg. Kjo i ka dhënë atij vendin e 8-të, kundrejt vendit të 10-të të marrë nga Qerimaj, i cili ka dështuar në provën e parë me 186 kg, por e ka ngritur me sukses atë në të dytën, duke dështuar në të tretën me 190 kg.
Hysen Pulaku është përfshirë sërish nga emocionet në përfundim të garës, duke mbuluar kokën me peshqir dhe duke reflektuar mbi atë që mund të kishte arritur në ato prova të shkuara dëm. Megjithatë, vendi i 7-të në botë në uverturën e tij në këtë nivel, ku i mungonte plotësisht përvoja, mbetet një arritje e jashtëzakonshme, që sinjalizon njëkohësisht fundin e një epoke të përfaqësuar nga Qerimaj dhe fillimin e një epoke të re, të mishëruar tek ky 18-vjeçar.
Në foto: Hysen Palaku
NOA