English

Reformimi i sistemit politik, ose “pluralizmi i dytë”

Po e them që në fillim të përgjigjes se duke u marrë për një kohë të gjatë me temën e pluralizmit politik, kam arritur në një përfundim disi radikal: Ajo që shpëton pluralizmin “vret” partitë, prandaj kam shtruar idenë e një “pluralizmi të dytë” për t’i dhënë fund një “hiperrealiteti të fragmentuar”

Nga Servet Pëllumbi

Me krizën e zgjatur që ka përfshirë vendin, sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe refuzimit për dy vite, njëri pas tjetrit, të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, klasa politike duhet të merret seriozisht me moderimin e kaosit partiak për ta bërë pluralizmin politik një sistem të pranueshëm e funksional, për t’u hapur rrugë reformave edhe në fusha të tjera. Si fillim ka rëndësi të kuptohet se integrimi në BE, ndër të tjera, do të thotë që të integrohemi në mënyrën e të menduarit, në sjelljen dhe shkallën e përgjegjshmërisë së qytetarit europian, që përfshin pranimin e tjetrit dhe solidaritetin me të. Më tej, që të integrohemi në mënyrën e bërjes së gjërave, të zgjedhjeve, të qeverisjes, të raporteve mes partive, mes partive dhe shtetit, shtetit dhe shoqërisë civile etj., njëlloj siç kërkohen nga standardet e njohura të Europës së bashkuar. Kjo është rruga e pjesëmarrjes së të gjithëve: e partive, e institucioneve, e qeverisë, e shoqërisë civile dhe deri e qytetarëve të thjeshtë, në procesin e zhvillimit tonë të brendshëm, pa të cilin nuk mund të flitet as për integrim me dinjitet në BE. Kjo nuk po ndodh, sepse politika bën të kundërtën, nuk merret me formimin e vullnetit të përgjithshëm, me kohezionin social dhe me integrimin e opinionit publik, por kryesisht me sherre, grindje, me luftëra pa bukë me njëra-tjetrën, pa përjashtuar as ato brenda vetvetes që tronditin rëndë ekuilibrat shoqërorë. Mbetet për t’u sqaruar përfundimisht: kjo vjen nga padija, apo pas veprimeve të tilla ka interesa të tjera, korruptive e klienteliste? Përsa i takon padijes, të cilën nuk e besoj se ka ndonjë rol të ndjeshëm, po i referohem një modeli pozitiv e konkret, që nuk është i vështirë për t’u njohur e kuptuar. Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, në një ligjëratë të mbajtur në konferencën “Perspektiva Europiane e Shqipërisë” (27 tetor 2011), duke krahasuar mënyrat e bërjes së gjërave në Danimarkë dhe në Shqipëri, ceku një të vërtetë të hidhur për ne, por reale. Në fjalën e tij, realiste dhe dashamirëse, Karstenan Kjaer Jansen tha: “Unë jam danez dhe kur e konsideroj se me çfarë janë bekuar shqiptarët, nuk arrij vërtet ta kuptoj se si Shqipëria nuk është në ballë të BE. Kam dëgjuar që politikanët shqiptarë i referohen Danimarkës si shembulli i shkëlqyer i asaj që mund të realizohet. Por, nga pikëpamja ime, është e vështirë të kuptoj se përse Shqipëria nuk është përpara Danimarkës. Ju keni qenë me fat me natyrën, burimet, klimën etj. Dhe shqiptarët nuk janë më pak punëtorë dhe të zgjuar se danezët”. Më tej ambasadori duket se i gjen përgjigjen çështjes së shtruar si më poshtë: “Mendoj se një shpjegim është se danezët mendojnë dhe veprojnë si një komb, si një popull. Shqiptarët veprojnë si individë, ose si anëtarë të familjes. Gjatë historisë, – vazhdoi ai, – ne danezët kemi mësuar se duke vepruar si një komb mund të përfitojmë duke ngritur standardin tonë kolektiv të jetesës, duke përmirësuar shanset e gjithkujt për sukses”. (Shekulli, 2011.10.29). Të rikthehemi te rasti ynë. Shtrohet përsëri çështja: ç’duhet bërë me pluralizmin politik, që edhe pas 20 vjetësh nuk është formësuar si sistem që të veprojë në interes të kombit dhe të popullit? Po e them që në fillim të përgjigjes se duke u marrë për një kohë të gjatë me temën e pluralizmit politik, kam arritur në një përfundim disi radikal: Ajo që shpëton pluralizmin “vret” partitë, prandaj kam shtruar idenë e një “pluralizmi të dytë” për t’i dhënë fund një “hiperrealiteti të fragmentuar” në të cilin çdo gjë është e ankthshme dhe sipërfaqësore, siç do ta karakterizonte një realitet të ngjashëm filozofi francez Jean Boudeillard. Në këtë vështrim na duhet të pranojmë se Shqipëria nuk mund të quhet realisht një vend me sistem politik pluralist, edhe pse prej 20 vjetësh kemi shumë parti (rreth 90) dhe vazhdojnë të krijohen të “reja”! Ç’është e vërteta, u arrit një lloj ndërgjegjësimi për nevojën e reformimit të modelit tonë të pluralizmit politik, para dhe në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Veçse u ndoq një rrugë e gabuar, që e futi sistemin politik në një krizë më të thellë. Kjo sepse, së pari, u ndryshua Kushtetuta pa kriter, gjë që favorizonte njërën palë (prill 2008); së dyti, se nuk u zgjodh varianti më i përshtatshëm i sistemit zgjedhor që zëvendësoi të mëparshmin; së treti, se dy partitë e mëdha, për të fituar sa më shumë vota në raport me kampin kundërshtar, pra dhe maxhorancën për të qeverisur, tërhoqën gati 40 parti të vogla në koalicionet “Aleanca për qytetarin” (PD) dhe “Aleanca për të ardhmen” (PS), prej të cilave u përfaqësuan në Kuvend vetëm katër parti të vogla me gjithsej 10 deputetë. Në vijim, pazari i radhës i PD–së me LSI-në, që i kërkoi votat elektoratit të majtë për të larguar Berishën, i plotësoi atij shumicën, pra i dha dhe të drejtën PD-së për të qeverisur me legjitimitet të dyshimtë. Përsëri preferenca “për gjahun e votave”, etja për pushtet dhe dominim, i denatyroi koalicionet, e zhbëri nevojën dhe vetëdijen për reformim të pluralizmit politik. Reformimi i tij, apo ardhja e një “pluralizmi të dytë”, përsëri u bllokua. Ideja feudale e elitave të përhershme, secila në domenin e vet dhe me forcat e gatshme për luftë, vazhdon në trajtën e partive dhe klaneve, që duken ca majtas, ca djathtas, secila në llogoren e vet, “pa dhënë e pa marrë me njëra-tjetrën”, sikur të ishin armike për jetë a vdekje. Kjo e varfëroi më tej demokracinë shqiptare dhe na bën të gjithëve “njeriun e çuditshëm të Ballkanit”, sipas shprehjes së ambasadorit danez, Jansen. Ndërkohë, po të abstraktojmë nga e gjithë kjo, madje edhe nga deformimi që solli mënyra e aplikimit të ligjit të ri të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, përfaqësimi i dy partive të mëdha me numra gati të njëjtë deputetësh dhe i katër partive të vogla për një rol ekuilibrues në Kuvend, mund të quhet një hap drejt krijimit të sistemit politik dhe të një pluralizmi të moderuar, si ai që haset në shumicën e vendeve të Europës. Pas kësaj do të duhej të ecej më tej drejt një ligji të ri për partitë me kërkesa më rigoroze, sidomos për të krijuar mekanizma të kontrollit permanent, parlamentar dhe exparlamentar ndaj partive, konkretisht për të parë shkallën e fiktivitetit të numrit të anëtarësisë që duhet të raportojnë partitë çdo vit, të burimeve të financimit, duke u dhënë të drejtën kontrolluesve që të propozojnë deri dhe çregjistrimin, sipas procedurave ligjore, të partive që nuk plotësojnë standardet dhe që në proces kanë humbur një apo disa nga kushtet për të qenë parti dhe pjesë të një sistemi politik pluralist. Në vijim do të shtoja se duke e shtruar kaq prerë një aspekt të tillë të problemit nuk kam për qëllim të radikalizoj çështjen e përjashtimit të disa partive dhe liderëve për të favorizuar disa të tjerë, por të nënvizoj se pjesë e reformimit duhet të jenë të gjitha partitë, pa përjashtim, të vogla dhe të mëdha; se partitë e vogla posaçërisht duhet të gjejnë rrugën për t’u bërë më të mëdha e më të rëndësishme duke krijuar bashkime, shkrirje, ridimensionime të programeve e të alternativave të tyre, që të aftësohen për të shtruar ide dhe iniciativa të reja, ndryshe s’ka pse të jenë dhe të presin që partitë e mëdha t’i ftojnë në “sofrën e vet” dhe të mbeten pa gjë, siç ka ndodhur shpesh, por sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2011. Ndërkohë, është për të ardhur keq që ende vazhdon rutina e pluralizmit që i ka ikur koha, i aleancave pa bosht, apo, siç quhen rëndom, i “aleancave koti” dhe që nuk po shohim lëvizje dhe iniciativa të reja drejt një “pluralizmi të dytë”, që duhet të ketë në themelin e vet, jo format e reagimit spontan, por partneritetin, dialogun dhe bashkëpunimin për interesat madhore të qytetarit, të kombit dhe të mirëqenies së popullit. Koha dhe reagimi politik e qytetar kërkojnë, njëherësh, vëmendje të rritur për kulturën e pluralizmit të mirëfilltë që mbështetet mbi dallimet e pjesshme, por që i shikon ato si pasuri, që nuk shkëputen nga e tëra dhe nuk e mohojnë atë. Dialektika e së tërës dhe pjesës, në rastin e dhënë, është në rolin e një parimi të rëndësishëm metodologjik. Në këtë vështrim, e tëra (sistemi partiak) nuk mund të reduktohet me pjesën (partia e veçantë), sado e madhe dhe e rëndësishme qoftë ajo. Rrjedhimisht, raportet midis pjesëve dhe së tërës duhen parë si raporte komplekse vartësish dhe pavarësish relative, pa të cilat sistemi politik nuk mund të funksionojë normalisht dhe të jetë i aftë që të parandalojë dhe të zgjidhë krizat kur ato lindin. Aspekt më vete i së “tërës komplekse” në rastin tonë të sistemit politik pluralist, është sidomos çështja e bashkëpunimit midis të kundërtave: e djathtë-e majtë, maxhorancë-opozitë, parti të mëdha-parti të vogla etj., pa i parë ato nga këndvështrimi mik-armik dhe pa lejuar polarizimin e jetës politike, konfliktualitetin antagonist e rraskapitës që minon pluralizmin dhe sjell kriza. Por, realisht, ndarjet janë thelluar aq shumë, sa që rëndom përdoren konceptet polare: “Shqiptarë –antishqiptarë”, “Veri-Jug”, apo apelacionet e tipit: “Zoti na shpëtoftë nga antishqiptarët”, d.m.th. nga opozita (!), siç u deklarua në seancën parlamentare të 13 tetorit 2011. Pa u mjaftuar me kaq, u sajua shpejt e shpejt edhe emërtimi: “celulë antieuropiane”, po për opozitën, veçse duke përfshirë kësaj here edhe Presidentin Topi! Kështu kriza nuk le institucion e nivel pa prekur, përfshi dhe moralin e shoqërisë, aq sa duket sikur jemi të dënuar nga “fati” për të qenë të përçarë dhe për të na munguar krejt iniciativa dhe prakticiteti. Gjithsesi, një udhëkryq i tillë, si ky që kemi sot, e bën menaxhimin e diversitetit dhe të dialogut politik sfidën më të madhe të demokracisë e të pluralizmit politik, sepse thellon më tej “hendekun ndarës”, rrit papërcaktueshmërinë e proceseve dhe njëherësh ngushton hapësirat e mundësive menaxhuese. Në këtë rrafsh thelbësore është njohja e së vërtetës, se çdo gjë fillon nga ndërgjegjësimi mbi nevojën për të vepruar bashkërisht sipas parimit “të ndryshëm, por bashkë”. Kjo pritet, kjo duhet të përgatitet dhe të ndihmohet për të ndodhur. Nuk ka tjetër alternativë. “Vallja europiane duhet të hidhet bashkë” (Fyle). Dhe nuk është aspak e ekzagjeruar të thuhet se pikërisht te mungesa e një vizioni të tillë, që karakterizon drejtuesit e shtetit dhe të partive shqiptare, pa përjashtim, që nuk ulen dot as në një tavolinë dialogu, duhet të nisë procesi i reformimit të sistemit politik shqiptar. Po, a ka shenja se mund të ndodhë vërtet diçka ndryshe, të paktën që të nisë dialogu politik midis palëve? Një pyetje e tillë qarkulloi në media dhe në opinionin publik, sidomos para kongresit të PS, që i zhvilloi punimet më 5 nëntor 2011. Prandaj dhe pritej me shumë interes. Fatmirësisht, u zhvillua një kongres pa luftërat e brendshme dhe pa dramat me përçarje dhe krijim partish të reja të “sponsorizuara”. Përveç pretendimit të arsyeshëm e të motivuar për të bërë më mirë rolin e opozitës, kongresi foli më shumë për të ardhmen, jo vetëm të vetë PS-së, por të zhvillimit ekonomik, të shtetit social, të demokracisë dhe të sistemit politik shqiptar, të kapërcimit të krizës aktuale dhe të integrimit bashkërisht në Europën e Bashkuar. Për më tepër, në kongres u bë e qartë se duhet një vizion i ri bashkëkohor dhe se PS është e hapur për aleanca të gjëra historike me forca politike të majta dhe të djathta, me ish-pronarët (që duhen quajtur pronarë) dhe me ish-të përndjekurit politikë, përfshi dialogun me shoqërinë. Një vizion i tillë nuk është thjesht një zbatim shqiptar i parullës “Përtej së majtës dhe së djathtës”, por kërkesë për zhvillime të reja brenda secilës prej tyre, jo “arratisje” diku, në “brigje” neutrale përtej vetvetes për të pushuar pas “betejash të ashpra”, por lëvizje me transparencë të plotë drejt njëra-tjetrës brenda sistemit politik pluralist, lëvizje partnerësh drejt dialogut politik, politikave koherente, konkurrencës luajale dhe bashkëpunimit për interesa madhore të kombit e të popullit shqiptar. Kuptohet, pa hequr dorë asnjëra palë nga shumëllojshmëria, nga identiteti dhe alternativa e vet përfaqësuese. Ndryshe, ndëshkimi i elektoratit nuk ka për të vonuar! Përpunimin e një çështjeje të tillë, shoqëruar me hapa konkretë nga forcat politike progresive (të majta dhe të djathta), që u përfaqësuan në kongresin e PS-së, (edhe pse ende nuk ka gjetur rrugën e vlerësimit dhe zhvillimit që meriton), do ta quaja risinë e tij më të rëndësishme dhe më të kohës. Çdo gjë nisi me ndërgjegjësimin që Partia Socialiste nuk ka pse e fsheh identitetin e vet për të marrë votat e shqiptarëve, nuk ka pse fsheh gabimet, nuk ka pse të lakmojë votat që nuk i takojnë (por as të lejojë vjedhjen e votës që i takon), nuk duhet të bëjë demagogji populiste, por të përpunojë dhe të ofrojë programe konkrete (politike, sociale, elektorale) bashkëkohore dhe në përputhje me alternativen e vet të reformuar si parti e majtë. Pas disa vitesh në kërkim, pse jo dhe hallakatjesh, PS, në kongresin e 5 nëntorit, e bëri të qartë se është një forcë e majtë e tipit europian, anëtare e Internacionales Socialiste dhe e Partive Socialiste Europiane. Në fund mbetet të thuhet përsëri e përsëri: politikanë, bashkëpunoni për të mirën dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane mbi bazën e një filozofie të përbashkët kombëtare e bashkëkohore, sepse nuk mund të pritet që të bëhemi të gjithë njëlloj, por as edhe që “të hamë kokat e njëri-tjetrit! Ky ishte mesazhi prioritar i kongresit të PS. Nëse dikush gjithë këtë e quan “kthim të PS në realitet”, le të mos e kritikojmë, por të shohim se realisht kjo ka ndodhur e duhej të ndodhte, t’ua urojmë edhe partive të tjera. Për më tepër që po pritet me optimizëm dhe me emocione të veçanta nga mbarë opinioni shoqëror shqiptar, i cili tashmë është bindur se ku dhe kur ka ide, ka dhe bashkim, ka dhe fitore!

Gazeta "Panorama"

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi13:14 - 11 Nëntor 2011
    KUSH PERGJGJET SOT PER PERCARJEN E SHQIPTAREVE? Lexova nje leksion shkollaresk,te rumbullakosur per shume idera,pika mbi i vihet pak ose aspak,asnje emer konkret nuk kritikohet,vete Z.Pellumbi ne keto 20 vite,a ka bere dicka gabim apo ka qene perfekt.Ne se po pse nuk thote nje nga gabimet e tij,kur ishte Kryetar i Kuvendit,ose ne raste te tjera jeta e tij politike ka qene nga me aktivet,asnje mekat s'ka prej saj? Ja si shprehet Pellumbi:U ndryshua Kushtetuta pa kriiter.Sikur kjo kushtetute ishte nje njeri qe me logjiken e tij, u ndryshua vete pa asnje kriter.Jo, z.Pellumbi pse nuk thuhet kush e ndryshoi dhe pse pa kritere,kujt do tja veshim kete pergjegjesi ndaj Kushtetutes?apo si ne kohen e diktatures qe s'mbante askush pergjegjesi per gangrenat 45 vjecare edhe tani per keto 20 vite askush s'mban pergjegjesi?Ne se Danezet veprojne si popull,pse ne veprojme si individe,kush e ka mekatin e kesaj metastaze kanceroze,qe kur i ka renjet kjo semundje? c'pergjegjesi kane kokat e PS dhe te PD per kete katraure qe na percan ende si te ishim nen pushtimin osman? Krahasoj analizen e Z.Andrea Stefanit me kete analize,per gangrenat qe po jetojme,si nata me diten.Z.Andrea e ve piken mbi i konkretisht dhe ne mjaft raste,pse kjo frike nga ana jote dhe ai guxim nga Z.Andrea,kur ju vete thoni te njohim te verteten.Ky shkrim te vertetave i shkon tangent,Z.Stefani ju shkon te vertetave sekante dhe diameter,sepse e ka te qarte qe populli shqiptar pse fle kur eshte duke ecur ne rruge dhe nuk fle kur eshte ne shtrat per te fjetur.Z.Stefani zbarth saktesisht edhe konceptin POPULL, jane gjithe ato shkrime qe pranojne se Shqiperia s'ka popull,s'vepron si popull,por eshte Z.Stefani qe sqaron kete mekat. Kush ja hoqi arsyetimin,logjiken ketij populli qe ende jetojme te percare? qe ai ka ende frike te flase te vertetat,pse e desherojne aq shume percarjen kokat tona politike? Ku eshte shoqeria civile te organizohet pa egot partijake,ka inteligjente Tirana o s'ka?nuk flas per inteligjentet partijake,ata e lyejne qeren e tyre nga partia,e cila hakmeret ne se X-ksi o Y-ku kundershton njeshin e tij.Z.Pellumbi Shqiperia nuk ka nevoje per shkrime te rumbullakosura,ato semundjen s'kane si ta shpojne,te dale infeksioni jashte plages.Eshte koha per shkrime me maje,te shkundin prapanicat qe kane gjetur parajsen duke ngrohur kolltuket 20 vite kot.Pse na u dashka qe 4% e kokave shqiptare te kene aq pasuri,nderkohe shqiptari ende vetevritet? Kjo pyetje s'ka nevoje per pergjigje te rumbullakosur.Analoge edhe qindra pyetje te tjera kerkojne kurajo,drejtesi,pa anshmeri,te zbardhet plaga qe ta sheroje i gjithe populli shqiptar,jo partite u pa puna e tyre,ato jane o Mete per vete.