Tiranë, 11 nëntor 2011, NOA- Forca Speciale RENEA, festoi sot 20 vjetorin e krijimit të saj gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e këtij reparti.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga Presidenca, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë ceremoni theksoi se përgjatë 20 viteve, arritjet dhe sukseset e njësisë speciale “RENEA” e bëjnë të ndjehet krenare Policinë e Shtetit dhe gjithë shoqërinë shqiptare, por njëkohësisht e ndërgjegjësojnë atë për përpjekjet dhe sakrificat e mëdha, deri në aktin më sublim, të personelit të këtij reparti.
“Sot Policia e Shtetit krenohet me këtë njësi, pasi jo vetëm që ka kryer me sukses misionin për të cilin është krijuar, por konkurron denjësisht me të gjithë repartet dhe forcat speciale si motra në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Burgaj.
Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke vlerësuar profesionalizmin dhe guximin e treguar në çdo rast gjatë veprimtarisë së Forcës Speciale RENEA, u shpreh se: “Sot, në këtë 20 vjetor ju keni një ditë bilanci dhe në këtë ditë ju keni të gjithë të drejtën të jeni krenarë. Të jeni krenarë përpara flamurit të vendit tonë, të jeni krenarë duke qëndruar përpara ligjit dhe kërkesave të tij, të jeni krenarë përpara qytetarëve të këtij vendi, të jeni padyshim krenarë përpara misionit dhe detyrës tuaj”.
Në kuadër të këtij përvjetori të RENEA-s, Presidenti Bamir Topi, ka dekoruar Njësinë Speciale RENEA me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, dekoratë e cila është dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko.
Me motivacionin “Për profesionalizëm dhe kryerje të detyrës me ndjenjë të lartë përgjegjësie në luftën ndaj elementit me aktivitet të rrezikshëm kriminal”, u janë dorëzuar Certifikata Lavdërimi Nënkomisarëve: Andrea Kola, Çlirim Nela, Genc Oshafi, si dhe Kryeinspektorëve Ardian Dibra, Sokol Dedej dhe Mikail Ngjela.
RENEA, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur), është Forca Speciale e vetme e Policisë së Shtetit Shqiptar, e cila është krijuar në Nëntor të vitit 1991. Detyrat e kësaj Force Speciale janë: Çlirimi/Shpëtimi i pengjeve në kushte të larta sigurie; Mbrojtja e institucioneve dhe shtetasve nga aktet terroriste; Arrestimi i personave dhe grupeve të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore; Ruajtja e Personaliteteve të larta Shqiptare dhe të Huaja në raste të veçanta, kur ka të dhëna se kundër tyre mund të ketë akte terroriste; si dhe dhënia e ndihmës së popullsisë në raste aksidentesh të ndryshme ose fatkeqësi natyrore.
Për profesionalizmin dhe përkushtimin në kryerjen e detyrës, njësia “RENEA” është dekoruar edhe me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin “Për merita të veçanta, akte guximi dhe trimërie në luftë për kapjen e autorëve të krimeve të rënda duke realizuar me sukses ndërhyrjet e shkallës së rrezikshmërisë së lartë”.
a.y/NOA