Tiranë, 11 Nëntor 2011 NOA/ Ervin Tirana – Në vendimin e marrë për ndërprerjen e fluturimeve të kompanisë Albanian Airlines janë shkelur shumë dispozita ligjore, mes të cilave Kodi i Procedurave Administrative, Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë, ligji për Autoritetin e Aviacionit Civil si dhe vetë aktet nënligjore të nxjerra nga MTTPB i cili është autoriteti mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Pohimin e bëri sot kompania Albanian Airlines në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku konfirmoi se pas hapave ligjorë të ndjekur gjatë ditës së sotme, u vendos rinisja e fluturimeve për udhëtarët.
“Njoftojmë opinionin publik se në respekt të ligjit, të kodit të procedurave administrative, konkretisht të nenit 138 të tij me qëllim që kjo situatë e kundraligjshme të mos dëmtojë interesat ekonomike dhe ato të imazhit të shoqërisë, interesat e shtetit si taksambledhës dhe rregullator, por mbi të gjitha, interesat e publikut, të pasagjerëve dhe partnerëve të kompanisë Albanian Airlines, me depozitimin e ankimimit tek ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, akti administrativ “vendimi i autoritetit të Aviacionit Civil dërguar me shkresën 1464, datë 10, 11.2011 për revokimin e rinovimit 25 të certifikatës së operatorit ajror, për shoqërinë Albanian Airlines i pezullon efektet e tij dhe kompania do të vazhdojë menjëherë aktivitetin normal me fluturimet e përcaktuara për të cilat pasagjerët kanë prerë biletat”, tha zyrtarisht kompania Albanian Airlines.
Kurse shtoi se “edhe njëherë i kërkojmë ndjesë të gjithë pasagjerëve të cilëve u është anuluar fluturimi i datës 11 nëntor 2011, edhe pse kjo situatë e pakëndshme dhe e padrejtë nuk ka ardhur për faj të saj”.
Në konferencën e sotme për shtyp, kompania u ndal në një vendim që e cilësoi të padrejtë të lëshuar pa paralajmërim dje ndaj kompanisë Albanian Airlines nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim revokon certifikatën e operimit ajror (AOC-Al 065) që mund ta shihni këtu. Kjo nënkupton bllokimin e operimit të kompanisë në një mënyrë të padrejtë, duke sjellë si pasojë anulimin e fluturimeve.
“Heqja e kësaj certifikate bie në kundërshtim me vendimin që e shihni këtu, marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Nacionale të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditorëve Ndërkombëtarë të nënkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj, afat maksimal i mundshëm”, detajon kompania.
Në fakt edhe sikundër shihet në këtë dokument që mund të shikoni këtu, tregohet qartë se leja skadon jo më parë se 1 nëntori i vitit 2012.
“Kjo tregon që Albanian Airlines ka qenë gjithmonë konform rregullave të Bashkimit Europian dhe në kooperim të mirë me Auditet dhe Autoritetet Shqiptare dhe te Huaj, çka është faktori më i rëndësishëm në sigurinë dhe besueshmërinë e operimeve”, - nënvizoi kompania.
Kurse shton: “Ndryshe nga sa është informuar opinion publik shqiptar nuk është e vërtetë që kompanisë sonë i është hequr leja e operimit për tre avionë, për arsye të mungesë së standardeve të kërkuara si nga legjislacioni shqiptar ashtu edhe nga strukturat përgjegjëse të Komisionit Europian, e vërteta është që operatori Albanian Airlines ka qenë më se korrekt në respektimin e të gjithë standardeve të kërkuara, si nga legjislacioni shqiptar ashtu edhe nga kuadri i marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse. Kjo është konfirmuar nga të gjitha misionet e auditimit si nga ato të inicuara prej autoritetit të Aviacionit Civil ashtu dhe nga ato të strukturave përgjegjëse të Komisionit Europian”.
Ky reagim erdhi pasi një ditë më parë Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë mori një vendim të cilin e publikoi vetëm sot pasdite, ku thotë: “Autoriteti i Aviacionit Civil ka tërhequr dje datë 10 nëntor 2011 certifikatën e Operimit Ajror të Operatorit “Albanian Airlines” (AL-065) si dhe ka pezulluar ARC (Certifikatën e Rinovuar të Vlefshmërisë Ajrore) të një aeroplani të kompanisë “Belle Air” me shenjë regjistrimi (ZA-ARD). Ky avion si dhe tre avionët që bënin pjesë në Certifikatën e Operimit Ajror (AOC) të operatorit “Albanian Airlines” ishin pjesë e Regjistrit Aeronautik të Republikës së Shqipërisë”.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil ndërhyrja bëhet në ushtrim të funksionit dhe detyrimeve që ka ky autoritet, në përputhje me standardet e ICAO-s, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e avionëve që bëjnë pjesë në Regjistrin Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.
“Duke ruajtur si prioritet kryesor sigurinë ajrore dhe interesin më të mirë të pasagjerëve me të dy operatorët ajrorë të licencuar prej tij, Autoriteti i Aviacionit Civil mbetet i vendosur të ushtrojë rigorozisht detyrën dhe funksionet e tij si dhe të kërkojë po rigorozisht respektimin e kritereve dhe standardeve të ICAO-s dhe EASA-s nga të dy këta operatorë që përdorin avionë që janë pjesë e Regjistrit Aeronautik Shqiptar. Ky vendim iu komunikua edhe “Komitetit të Sigurisë Ajrore” pranë KE-së”, - thuhet në komunikatën e lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Por Albanian Airlines konfirmoi sot në konferencën për shtyp se “asnjë mision auditimi i vendit apo i huaj nuk i ka bërë Albanian Airlines ndonjë paralajmërim apo vërejtje për mangësi që konsistohen në mungesën e standardeve të kërkuara për lëshimin e certifikatës së operimit ajror”.
Ndaj, duke e konsideruar vendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil si një vendim të pajustifikuar, të pabazuar në fakte dhe në ligj, madje në kundërshtim flagrant me ligjin nga ana e kompanisë është depozituar sot në datën 11 nëntor 2011 ankimi administrativ, Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, ankimim që mund ta shikoni këtu, me të cilin kërkohet që ky i fundit të konstatojë pavlefshmërinë e “vendimit të autoritetit të Aviacionit Civil dërguar me shkresën 1464, datë 10, 11.2011 për revokimin e rinovimit 25 të certifikatës së operatorit ajror (COA) për operatorin Albanian Airlines, ose shfuqizimin e këtij akti si të kundraligjshëm.
“Theksojmë se vendimi të cilin ne kemi ankimuar është si në formë dhe në përmbajtje i padrejtë dhe i paligjshëm dhe në procedurat e ndjekura nga Autoriteti i Aviacionit Civil për nxjerrjen e tij, janë shkelur apo injoruar thuajse gjysma e dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative, Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë, ligjit për Autoritetin e Aviacionit Civil si edhe vetë aktet nënligjore të nxjerra nga MTTPB i cili është autoriteti mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil”, - nënvizon kompania Albanian Airlines.
Kurse në letrën që mund të shihni këtu, dërguar Tirana International Aeroport, Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror dhe për dijeni drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, Ervin Mazniku
Administratori i Albanian Airlines Firidun Goyushov, thotë se “me depozitimin e ankimit tek Ministri i Trasporteve, akti administrativ “Vendimi i Autoritetit të Aviacionit Civil, dërguar me shkresën 1464, datë 10 nëntor 2011 që bën fjale për Revokimin e Rinovimit 25 të Certfikatës së Operatorit Ajror, për Shoqërinë Albanian Airlines, sh.p.k., i pezullon efektet e tij dhe kompania do të vazhdojë menjëherë aktivitetin normal me fluturimet e përcaktuara sipas programit dimëror të fluturimeve të aprovuar nga ACAA”.
e.t/NOA