Romë, 11 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një qytetar shqiptar i moshës 31 vjeçare u arrestua nga policia e Romës, pasi ndaj tij rëndonte një dënim i formës së prerë dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Një mandat arresti i dalë nga Gjykata e Apelit të Vlorës në vitin 2005 me akuzat për favorizim dhe ndihmë për kalimin ilegal të emigrantëve, e kishte ndëshkuar me 25 vite burg.
31 vjeçari është njëri nga skafistët e anijes e cila në janar të vitit 2004, u mbyt në afërsi të kanalit të Otrantos duke provokuar 21 viktima shqiptarë të cilët ishin nisur drejt brigjeve italiane.
Personi në fjalë u pikas nga policia së bashku me një bashkëkombasin e tij 42 vjeçar në një lagje të Romës.
Sjellja e tyre i futi në dyshim efektivët e policisë, të cilët vendosën që ti kontrollonin. Dokumentet e treguara nga shqiptarët ishin dukshëm të falsifikuar çka i bindi edhe më tepër policët për verifikimin mbi identitetin e tyre.
Përgjigja e marrë nga shenjat e gishtërinjve nuk u la rrugë shpëtimi shqiptarëve, pasi krahas skafistit 42 vjeçari ishte në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge.
I riu në vitin 2004 organizoi një nga udhëtimet ilegale nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Skafisti dyndi brenda në një gomone në janar të vitit 2004 36 klandestinë shqiptarë ku çdo pasagjeri i kishte marrë 1500 euro për ti çuar në brigjet fqinje.
Fatkeqësisht pas disa miljeve lundrim në afërsi të kanalit të Otrantos, në disfavor të kushteve atmosferike dhe dallgëve të larta, gomonia u fundos dhe 21 nga 36 klandestinët gjetën vdekjen në thellësitë e detit.
a.y/NOA