English

Berisha: Autostrada, rruga e së ardhmes dhe unitetit shqiptar

Vërmicë, 12 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të 38 kilometrave të parë autostradës Vërmicë- Merdarë të Kosovës, Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se, sot në Vërmicë është i gjithë kombi shqiptar.

Ai theksoi se për këtë inaugurim gëzojnë së bashku të gjithë shqiptarët, duke e cilësuar këtë rrugë madhështore.

“Autostrada bashkon gjithë shqiptarët në idealin e unitetit, të Prizrenit në idealin e pavdekshëm të grave dhe burrave që sakrifikuan dhe derdhën lumenj gjaku për të bërë Shqipërinë e pavarur dhe Kosovën të lirë dhe të pavarur, në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së Pavarur, burrit të ndritur Profesor Doktor Ibrahim Rrugovës. Kosova në më pak se tre vjet i dhuroi qytetarëve të saj por dhe rajonit në përgjithësi një kryevepër.”

Ai tha se autostrada që ndërtohet është autostrada e së ardhmes. Sipas tij, kjo rrugë shënon një agim të ri ekonomik, politik e social ku Kosova kontribuon për paqen e bashkëpunimin evropian, investon për të ardhmen europiane të qytetarëve dhe për zhvillimin e shpejtë të Kosovës.

Duke mbyllur fjalën e tij Berisha tha se, nuk ka këngë më të bukur se ç’është vetë rruga, dhe se nuk ka poet që do mund ta përshkruante madhështinë e saj pasi rruga flet madhërisht vetë.

Autostrada Vërmicë- Merdarë shënon vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë, autostrada në fjalë ka marrë emrin e ish-Presidentit të Kosovës “Ibrahim Rugova”.

a.y/NOA

KOMENTE