Tiranë, 11 nëntor 2011, NOA- Kryeministri Berisha priti sot në një takim Gary Peters, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga distrikti 9-të i Michiganit.
Kryeministri Berisha i shprehu kongresmenit Peters mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë në vijimësi Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për të konsoliduar demokracinë e bazuar në një ekonomi funksionale tregu.
Në vijim ai vlerësoi rolin vendimtar të qeverisë dhe Presidentëve amerikanë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Nga ana e tij, kongresmeni Peters garantoi se ai personalisht dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Ndër të tjera Peters e falënderoi Kryeministrin Berisha, në veçanti, për kontributin që qeveria shqiptare po jep në misionet në Afganistan, si dhe për mbështetjen dhe marrëdhënien e ngushtë që qeveria shqiptare ka ruajtur në vijimësi në të gjitha çështjet e sigurisë globale, për të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë thellësisht mirënjohëse.
Në veçanti, në takim u vlerësua arritja madhështore e ndërtimit të rrugës së kombit në Shqipëri, arterie që do t’i japë një dimension të ri zgjerimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të ngushta vëllazërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe miqësisë në mbarë rajonin.
a.y/NOA