'“Kurbani” është tjetër kur Edi Rama flet për punët e tij në Bashkinë e Tiranës. Krejt tjetër. Vetëparaqitja e shpëtimtarit, e heroit, e këtij Herkuli në stallat e Avgjisë që gati-gati i ka hequr me duart e tij tonelatat e plehrave e masivët e godinave pa leje, të lë shijen e një ëmbëlsire ku me dashje është hedhur kripë".
Nga Edmond Harizaj
Shqipja merr tjetër nuancë në gishtërinjtë e Edi Ramës. Nuk është më ajo shqipe në prag të ngordhjes, me një kryefjalë, një kallëzues e një kundrinor të lodhur e të verdhur nga përdorimi. Nuk është më ajo shqipe e ngushtuar nga metastazat e huaja. Nuk është më shqipja që gulçon në grahmat e fundit. Të lexosh Edi Ramë ke surpriza. Asnjëherë nuk e di se kush do të jetë fjala a fjalia pasardhëse, madje mund të jetë një fjali një faqe, por asnjëherë nuk e humb fillin. Edi Rama fjalën e kthen në pikturë. Mund të jetë nga pikturat e vetme që po blihet nga të gjithë. “Kurbani” i Edi Ramës duhet lexuar. Sepse duhet kuptuar Edi Rama. Ky personazh kaq enigmatik, sa dhe tërësisht i lexueshëm, kaq mendjehapur, njëkohësisht edhe anadollak sa dorëlëshuar në gjykime, aq i tualetosur në vetëgjykime, sa mbinjerëzor në përshkrime, aq i vogël e i zakonshëm në mllef e urrejtje. Do të ishte një libër i bukur sikur pas Edi Ramës të mos fshihej kryetari i Partisë Socialiste. Do të ishte akoma më i bukur sikur pas kryetarit të Partisë Socialiste të mos fshihej ëndërrimtari për pushtet. Do të ishte i jashtëzakonshëm sikur pas ëndërrimtarit për pushtet të mos fshihej Narçizi që beson se është Shpëtimtari. I vetëm. Do të kishin tjetër vlerë këto kujtim—vlerësim- gjykime sikur Edi Rama të kishte tjetër moshë e tjetër status. Nuk duket një libër që mund të jetojë gjatë, e as një libër të cilit mund t’i kthehesh pas disa vjetësh. Është një biografi (auto) për pak vite politikë, e mbështjellë me lajme e qëndrime, me përcaktime, me gjykime e paragjykime, me program politik e me shfajësime të çuditshme. Ai të drejtohet ty në një stil krejt të veçantë, për t’u pasur zili. Stili i politikës së re. Një konferencë shtypi e gjatë. “Kurbani” është tjetër kur Edi Rama flet për familjen e tij. Krejt tjetër. Përshkrimi i bisedimit me mermerin poshtë të cilit prehet babai i ndjerë, Kristaq Rama, shpalosja e merakut të nënës, Anetës, apo marrëdhëniet e tjera familjare, nxjerrin një Edi Ramë njerëzor, ashtu siç nuk jemi mësuar ta shohim ndonjëherë. Një djalë shqiptar (si shumica) që vetëm pas vdekjes së babait kupton se e ka lënduar, ku shumë e ku pak. Që vetëm kur ai i mungon, e ndien boshllëkun dhe honin e madh që i ka lënë pas. Me receta fjalësh e fjalish të përgatitura nga vetë Rama e të pashijuara ndonjëherë, mund të ngopesh e të mallëngjehesh me merakun prej një nëne shqiptare të Anetës. “Kurbani” është tjetër kur Edi Rama flet për punët e tij në Bashkinë e Tiranës. Krejt tjetër. Vetëparaqitja e shpëtimtarit, e heroit, e këtij Herkuli në stallat e Avgjisë që gati-gati i ka hequr me duart e tij tonelatat e plehrave e masivët e godinave pa leje, të lë shijen e një ëmbëlsire ku me dashje është hedhur kripë. Këmbëngulja disafaqëshe se ka dalë i pastër nga Bashkia e Tiranës, të shton këmbënguljen se ka diçka të pistë. Ose ky njeri në mes të oqeanit nuk ka pirë një gllënjkë ujë, ose të tjerët janë nginjur me ujin, qoftë edhe i kripur. Këtë Rama nuk e shpjegon. Por i kthehet jo vetëm një herë shtëpisë së tij modeste 75 metra katrorë me qira. Kaq vjet kryetar bashkie i kryeqytetit, ndoshta me ligj i takonte një kredi e butë. Mbase Rama ka gabuar me llogaritjet, sepse kjo pjesë nuk është se shton afrimitetin e bashkëvuajtësve qiraxhinj, por shton dyshimet për modesti të stisur. Si dikur Komandanti i Parë që qeshte teksa kujtonte se kthente nga ana tjetër astarin e grisur të xhaketës. Një Zot e di pse Rama vendosi që shqiptarët edhe t’i lexojnë gjërat që i shikojnë. Punët e një njeriu që vetë e kishin zgjedhur dhe vetë e paguanin, që ishte shërbyesi i tyre. Përpos që është ende shumë aktiv në politikë. Gunter Grass e deklaroi të vërtetën e tij kur s’kishte më karrierë, madje edhe kur jetës s’kishte se çfarë t’i merrte më. Gjithsesi, ishte gjerman. “Kurbani” tjetërsohet kur Edi Rama flet për kundërshtarët e tij politikë. Kundërshtarët themi me delikatesë, sepse ata trajtohen si armiq. Është e vërtetë, siç e pohon edhe vetë, se ai nuk përdor baltën për kundërshtarët e tij. Duhet ta ketë fjalën për baltën e tokës, sepse baltë skulptorësh ai përdor pa hesap. Është nga ajo lloj balte, e përzier me cinizëm, mllef, urrejtje, pafuqi e hakmarrje që Edi Rama e përpunon, e laton, e rrumbullakos e i jep formë dhe e lëshon si një top dëbore, i cili përfundon në një ortek mbi shënjestrën. Nuk është i ndryshëm Rama në baltosje. Balta dhe stili që përdor janë më modern. Ka dhe hatërmbetje Rama. Marrëdhëniet shoqërore me të duhet të jenë të vështira. Sidomos në dekadën e fundit, atëherë kur ai ka nisur të kuptojë se është më tokësor dhe se duhet të jetë më shqiptar. Përmes frazave këndshëm renditur kuptohet një Ramë që nuk e pëlqen kritikën, aq më pak kundërshtinë. Një Ali Pashë në pjesëzën e diellit që ka arritur të marrë e që nuk lejon askënd t’i bëjë hije apo të përpiqet t’ia mjegullojë shkëlqimin. Askush nuk duhet të guxojë, sepse Rama nga hatërmbetja kalon në xhindosje. Dhe jo pakkush i ka provuar shpotitë-shigjeta të tij. Një ylli në ngjitje askush nuk duhet t’ia zërë rrugën, aq më pak ata që po shuhen. Kjo të paktën në përfytyrimin e tij galaktik. Ngjarjet në këtë libër, të njohura shumica, janë sjellë vetëm nga këndvështrimi i Edi Ramës. Herë-herë duken shumë realiste dhe prekëse, e herë-herë të stisura e të përkëdhelura, ashtu siç do të donte të ishin. Në rreshtat e tij kupton se vetëcilësimi si leva e Arkimedit është më e pakta. Megjithatë, afër të pesëdhjetave, Edi Rama për herë të parë po tregon se vërtet ai nxiton. Se nuk ka kohë. Se i duhet të bëjë shumë gjëra që i ka lënë pa bërë, që ia kanë ndaluar t’i bëjë, apo që ai ia ka privuar vetes. E, në nxitim e sipër, ndoshta ende nuk e ka kuptuar se nuk është bota që rrotullohet rreth tij, por është ai që rrotullohet së bashku me botën. E, kur s’e ke kuptuar këtë në prag të të pesëdhjetave, kjo është e rrezikshme.
Gazeta "Panorama"