English

Refleksione mbi librat e politikanëve

Nga Mentor Nazarko

Ndërsa media të ndryshme botojnë imazhe të radhëve të lexuesve në pritje për të marrë autografet e autorëve politikanë, ka vend për një shikim ndryshe të gazmendit që i karakterizon këto imazhe. Është një shikim jashtëshqiptar, apo një përpjekje për ta parë këtë dukuri të lidhur me politikën e përbotshme. A janë këta libra formë e duhur e komunikimit me publikun, a janë këta libra dëshmi e një vizioni politik të autorëve, dhe sa peshon prirja letrare e dikurshme e autorëve në ligjërimin politik të tyre apo në cilësinë e të bërit politike prej tyre? Më në fund, a ka diçka globale në këtë prirje për të shkruar libra, pra diçka që e respektojnë dhe politikanë të tjerë anembanë botës së qytetëruar? Duhet thënë që në krye të herës se libri i Ramës, “Kurban”, del në një moment kur kreu i opozitës ka ndryshuar mënyrën e komunikimit me publikun. Vendin e konferencave të shtypit e kanë zënë editorialet; vendin e intervistave e kanë zënë cicërimat në Twitter, diçka që ka entuziazmuar disa ekspertë të komunikimit, jo për kryetitujt që prodhon, por për kahjen modernizuese të komunikimit politik që bartin. Ndërkohë, libri në fjalë justifikon gjithashtu një periudhë tërheqjeje relative të Ramës nga jeta publike, që përkoi qoftë me mbylljen e mandateve në Bashki, qoftë dhe me pushimet verore. Sot libri është në treg, njëkohësisht me librin e një tjetër politikani të PS-së, Ben Blushi. Këto dy botime tregojnë kështu njëlloj supremacie të lidershipit të së majtës në shkrimin e librave, përballë lidershipit të së djathtës. Nevojën e këtij konfrontimi në botim librash, në fakt, ma imponoi një shkëmbim i lehtë, por domethënës pikëpamjesh të Blushit autor me Bashën blerës librash, gjatë panairit që po mbahet në Tiranë. Pra, shumë pikëpyetje apo shumë refleksione mund të ngrihen nëpërmjet këtij shkrimi rreth kësaj dukurie letrare, ekstra politike, apo politike të letrarizuar. Janë pikëpyetje që s’mund të shterohen këtu dhe që mund të shërbejnë si bazë për diskutime të mëtejshme në forume publike. Libri është një instrument komunikimi të qëndrueshëm me publikun që mbetet gjatë në rafte, diçka që kontraston me nevojën e politikanëve, veçanërisht atyre shqiptarë, për të rimohuar vazhdimisht pozicionet e tyre. Në këtë këndvështrim, Rama ndoshta s’ka pse të ketë frikë të tepruar. Ai ngjan me një politikan që përgjithësisht nuk ka ndryshuar shumë pozicione në raport me Berishën, që ka përzënë, pranuar, ripërzënë dhe ripranuar shumë politikanë, aleatë dhe, për pasojë, ka ndryshuar vazhdimisht pozicionet e veta. Mjafton të shikosh Fiks-in e Top Channel për të konstatuar transformimin e këtij politikani. Në këtë kuptim, pa vënë në diskutim aftësinë apo kulturën e Berishës për të shkruar libra, soliditeti dhe koherenca e tyre do të kontestoheshin rëndë nëse dhe ai do të hynte në garën e shkrimtarëve politikanë. Reflektimi i dytë në lidhje me librat e fundit të politikanëve të majtë është se ata pasqyrojnë prirjet e tyre të mëhershme apo të konsoliduara letrare. Por a është kjo prani letrarësh diçka me tepri në politikën shqiptare? Këtu nuk i referohem vetëm së majtës, sepse dhe Berisha, megjithëse nuk shkruan libra, është gjithashtu një letrar i munguar. Më ka mbetur në mendje një reportazh i Roland Gjozës për endjet e shpeshta të Sali Berishës, mjek i ri, në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve, për të përshëndetur të mëdhenjtë e letërsisë. Gjithë ligjërimi i tij politik në mbi 20 vjet, me gjithë inkoherencën në qëndrime, ka, megjithatë, koherencë në metafora dhe krahasime, siç është rasti i përdorimit pa hesap të sipërores absolute, i qëmtimit shumëfishues të epiteteve vulgare për kundërshtarët etj., etj. Kjo këmbëngulje për të mbetur në detin e letrave, diçka e përbashkët e politikanëve dhe më shumë prej gazetarëve kryesorë të vendit, megjithatë kontraston me karrierën politike të udhëheqësve të vendeve fqinje. Shikoni ç’po ndodh në Greqi, i cili, megjithatë, është një vend mesdhetar, dhe punët nuk është se i kanë shkuar mirë. Në krye të vendit, për ta futur atë në hullitë e zgjidhjes së krizës, vjen një fizikan që ka magjistruar për inxhinieri dhe ka doktoruar për ekonomi. Papandreu, Simitis, paraardhësit e tij kishin gjithashtu një përmasë të fortë studimesh ekonomike. Nëse doni të shikoni Italinë, Mario Monti gjithashtu vjen prej ekonomisë dhe president i universitetit “Bocconi”. Së treti, politikanët që kanë prirje letrare të hershme dhe që nuk i braktisin, kanë përgjithësisht dhe një përmasë të fortë karizmatike. Kjo përmasë themelohet pikërisht edhe përreth metaforave që ata shpikin me lehtësi, pa skrupullin e saktësisë që vjen nga shkencat ekzakte dhe ekonomia, por dhe që i kumtojnë bukur, plot ngjyresa, me shkrim dhe me gojë. Janë metaforat, apo gjuha e figurshme në përgjithësi që qëndrojnë në themel të miteve që ata krijojnë dhe me të cilat topitin, manipulojnë apo orientojnë masat për t’i ndjekur nga pas. Së katërti, të kesh begraund letrari apo artisti, nuk domethënë se për pasojë nuk di nga arti i qeverisjes, megjithëse përgjithësisht qeveritarët e mirë ndihmohen shumë në zejen e politikës nga kultura që kanë marrë në formimin universitar dhe më pas. Shikoni Havelin; ai ishte dramaturg në karrierë, por ishte një president i ndritshëm i vendit të vet, duke e udhëhequr atë në procese reformash të jashtëzakonshme. Edhe Rama, si artist rebel dhe anarkist vetë është njëlloj përjashtimi. Rama arriti të krijonte në Shqipëri një model qeverisjeje lokale që jehoi dhe jashtë vendit, Bashkia që ai themeloi në Tiranë ishte institucioni i vetëm që funksiononte sipas standardeve normale të një vendi perëndimor. Megjithatë, Rama nuk është provuar në qeverisjen qendrore dhe mënyra autoritare si drejton partinë nuk është shembullore. Por, me gjithë këto reflektime kundërthënëse, pasojë e botimeve të fundit të politikanëve socialistë, nuk mund të mos shtojmë dhe një reflektim tjetër. Ok, politikanët tanë ish-letrarë, apo letrarë në potencë, apo letrarë të munga, dhe paralelisht letrarë, le të ndjekin prirjet e tyre të mëhershme ekstrapolitike, apo le ta letrarizojnë politikën, qoftë dhe kur shkruajnë një libër politik si “Kurbani”. Por, ama, duhet të flasin përditë për ekonominë, për taksat, për politikën e jashtme, për programet, për krizën. Të gjithë e mbajmë mend sa interesant ngjau Blushi me kostumin e politikanit dhe jo të shkrimtarit ditëve të fundit ndërsa propozoi vendosjen në Kushtetutë të tavanit të borxhit publik. U morën me idenë e tij gazetat, kolegët e tij, të majtë dhe të djathtë. Imagjinoni sa interesant do të dukej sikur të fliste më shumë dhe më shpesh për ekonominë dhe për të tjera instrumente të politikës apo rezultate të saj. Më në fund, për të ndërruar kahje në objektin e analizës, le t’i referohemi së djathtës. “Unë, i tha Basha Blushit, librat i shkruaj me fushatat zgjedhore dhe populli i vlerëson ato nëpërmjet votës”. Edhe kjo s’ngjan një zgjidhje e drejtë, megjithëse mund ta ketë çuar Bashën në fitore, pa hyrë në detajet prozaike të kolegjeve zgjedhore. “Ne fushatojmë në poetikë, tha ish guvernatori amerikan Mario Kuomo, por duhet të qeverisim në prozë”. Në këtë kuptim, edhe librat e autorëve socialistë ngjajnë si prozë poetike fushateske. Ajo që ne duam, megjithatë, prej autorëve politikano-letrarë, apo e anasjellta, me çdo kusht, është që të qeverisin në prozë dhe në prozë serioze. I njëjti autor, Mario Kuomo, jep një këshillë tjetër në fund të një artikulli të vet: “Nëse kandidatët tanë fushatojnë në poetikë në vend të trajtimeve të detajuara dhe korrekte të politikës dhe më në fund fitojnë, atëherë ata do ta zhysin qeverisjen në kotësi”.

Gazeta Panorama

KOMENTE