Elbasan, 11 Nëntor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Në vijim të operacionit policor “Clean”, u bë sot arrestimi i pronarit të disa kompanive dhe punonjësit të një tjetre, të huaj, nën akuzën e evazionit fiskal.
Operacioni u krye nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe ajo e Operacioneve Speciale në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqet Tiranë dhe Elbasan.
Të arrestuarit janë Sokol Besnik Nasufi, 49 vjeç, banues në Tiranë, administrator i shoqërive “Euro-Sped-TransChrom” shpk, Euro-Trade Minerals Group” shpk, si dhe “Flaxhek” shpk .Elton Selam Beqi, vjeç 34, banues në Tiranë, punonjës në një kompani të huaj.
Operacioni për arrestimin e tyre u konkludua ditën e sotme, në qytetin e Tiranës.
Këta shtetas akuzohen për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim me shtetasin Vaid Tarja, i arrestuar me datë 26.10.2011 nën akuzën e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, si dhe të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, duke përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD.
Nga hetimet e kryera dyshohet se Sokol Nasufi dhe Elton Beqi në bashkëpunim me shtetasin Vaid Tarja kanë kryer transaksione në vlera të konsiderueshme, të cilat nuk i kanë deklaruar, si dhe kanë falsifikuar fatura tatimore, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Në kuadër të këtij operacioni është bërë dhe sekuestrimi i pasurive të paluajtshme dhe i llogarive e depozitave bankare të shoqërive:
- U&E Managemant” sh.p.k me Administrator shtetasin Vaid Tare
- dhe “Euro-Sped-TransChrom” shpk, Euro-Trade Minerals Group” shpk, “Flaxhek” shpk, me administrator shtetasin Sokol Nasufi, si dhe i automjeteve në pronësi të këtyre shoqërive.
Po ashtu është kryer dhe sekuestrimi i çdo lloj llogarie bankare apo depozite bankare të shtetasve Vaid Tarja, Sokol Nasufi dhe Elton Beqi.
Janë sekuestruar gjithashtu dhe kuotat e pjesëmarrjes si ortak të shtetasit Vaid Tarja në shoqëritë “U&E Managemant” sh.p.k, “ALBA-CLEAN” shpk, dhe “Silvio”, si dhe kuotat e pjesëmarrjes si ortak të shtetasit Sokol Nasufi në shoqëritë “Euro-Sped-TransChrom” shpk, Euro-Trade Minerals Group” shpk, dhe “Flaxhek” shpk.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i tha sonte agjencisë lajmeve NOA.al se arrestimi i Sokol Nasufit dhe Elton Beqit u bë i mundur pas një hetimi intensiv mjaft profesional, si dhe një sërë veprimesh procedurale të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.
Bazuar në materialet e grumbulluara në ngarkim të këtyre shtetasve Gjykata e rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Menjëherë, me marrjen e këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit bënë të mundur ekzekutimin e masës së vendosur, duke kryer arrestimin e shtetasve Sokol Nasufi dhe Elton Beqi.
Më herët sot, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan tha se ka regjistruar Procedimin Penal 1780 të vitit 2010, mbi bazën e materialeve te ardhura nga Drejtoria e Tatim Taksave Elbasan, lajm që e gjeni këtu.
a.y/NOA