English

Bashkia e Tiranës, projekte për menaxhimin e ujërave të shiut

Tiranë, 13 nëntor 2011, NOA - Bashkia e Tiranës ka nisur ndërhyrjet për sistemimin e kolektorëve të qytetit për largimin e ujërave të shiut, për t’i dhënë zgjidhje një problemi shqetësues për qytetarët. Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve Taulant Zeneli dhe Drejtoresha e Ndërmarjes nr 2 Luzhiana Abazi, shpjeguan masat që janë marrë dhe ato që parashikohen për tu ndërmarrë në bashkëpunim me ndërmarrjen e Ujësjelles-Kanalizimeve mes të cilave është adresuar edhe zgjidhja që do t’i jepet përmbytjeve që shkaktoheshin edhe nga reshje të vogla shiu në Rrugën “Don Bosko”, e kthyer prej kohësh në shqetësim për qytetarët dhe përdoruesit e mjeteve. Zeneli tha se në buxhetin e vitit 2012 janë parashikuar fondet e domosdoshme në kolektorët e rrugëve.

“Sot ndodhemi në zonën e “Don Boskos”, e cila është një zonë problematike, përsa i përket largimit të ujërave të bardha apo të shiut. Pavarësisht investimeve të bëra më parë, aktualisht problematika vazhdon. Për këtë arsye, nga ana e Bashkisë, në kuadër të përgatitjes së projekteve për buxhetin e vitit 2012, por në bashkëpunim të ngushtë edhe me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve e cila ka përgatitur një projekt, do mundësohet fillimi i punimeve për zgjidhjen e këtij problemi në këtë zonë dhe kjo do të vazhdojë më tej, me kompletimin e gjithë zonës nga ana e Bashkisë së Tiranës”, tha Zeneli.

Nga ana e saj Luzhiana Abazi u shpreh se falë ndërhyrjeve të deritanishme është bërë e mundur sistemimi i kolektorëve në zonën e “Komunës së Parisit”, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës.

“Sa i përket Drejtorisë Nr.2 të punëtorëve të Qytetit janë marrë të gjithë masat, është bërë pastrimi i gjithë zgarave të ujarve të shiut, në të gjithë rrugët e qytetit, vazhdojmë akoma sot të bashkëpuoijmë me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve sepse realisht duhen makineritë e posaçme për këtë punë. Në këtë moment, mund të themi se është zgjidhur problemi shqetësues i rrugës “Komuna e Parisit, falë edhe ndihmës së Ujësjellës Kanalizmeve dhe po ashtu do vazhdojmë edhe në rrugën “Don Bosko”, ku do të ndërhyhet në kolektorin e kësaj zone, i cili me vendndodhjen aktuale nuk i jep zgjidhje ujrave të bardha të kesaj zone,- tha Abazi.

a.q/NOA

KOMENTE