Romë, 13 nëntor 2011, NOA - Me sa duket epokës së Berluskonit i erdhi fundi. Por, çfarë do të ndodhë me të nëse jep dorëheqjen si kryeministër i Italisë? A do të përqendrohet ai tek sipërmarrjet e tij? Do të përfundojë në burg, apo do të mbetet në politikë?
Kur Silvio Berluskoni festoi disa javë më parë 75 vjetorin, urimi që i bëri udhëheqësi i opozitës Pierluigi Bersani, ishte i shkurtër dhe i saktë. “Do të ishte mirë që të shkonte të pushonte pak”, tha Bersani për kryeministrin. Pas kësaj fundjave, Berluskoni do të ketë kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë. Por kërkush nuk do të imagjinojë Berluskonin si person privat, që i kalon ditët e pleqërisë në vilën e tij në Sardenja, i shoqëruar nga familja ose nga shoqëruese simpatike në moshë të re.
”Ai është gënjeshtar i madh”, thotë gazetari Marco Travaglio, i cili dyshon në dorëheqjen e Berluskonit. “Nëse jep vërtet dorëheqjen, atëherë ai do të mundohet të sigurojë bizneset e tij. Nëse del nga politika ai do të mendojë si të mbrojë veten nga proceset dhe kryesisht si të mbrojë sipërmarrjet e tij, të cilat nuk i kanë punët dhe aq mirë aktualisht”,
Sipërmarrjet e Berluskonit vuajnë nën krizën qeveritare. Ditën e mërkurë, kur pasiguria ishte shumë e madhe, sipërmarrja e tij Mediaset humbi në burse 9,8 përqind. Silvio Berluskoni mund të bëhet sërish sipërmarrës, kjo është një teori e mundshme, e cila i përshtatet imazhit të tij, sepse ai nuk e ka parë veten kurrë si politikan. “Tre nga sipërmarrjet e mia janë në bursë, e cila është duke më groposur përditë. Unë e di çfarë është duke ndodhur në tregje."
Silvio Berlusconi mbetet kryesisht sipërmarrës mediash, nëpërmjet kanaleve televizive dhe gazetave ai do të vazhdojë të ndikojë shumë mendimin publik italian. Këtë e dëshirojnë të paktën ata, që ndodhen afër Berluskonit politikisht. Si përshembull gazetari i tij i preferuar, moderatori Bruno Vespa. “Nëse do të kemi tani një qeveri kalimtare, atëherë do të jetë ai që do të japë sinjalin e nisjes. Pastaj do të vijë eminenca gri. Ai nuk do të largohet nga politika”"
Ka mundësi që ai të vazhdojë të jetë politikisht aktiv, për shembull si deputet i thjeshtë apo si senator i përjetshëm, në mënyrë që të sigurojë imunitetin për pjesën tjetër të jetës. Sepse kundër Berluskonit janë duke u zhvilluar aktualisht tre procese, një i katërt është duke u përgatitur. Por juristët janë të një mendimi, se në asnjë prej proceseve ai nuk kërcënohet seriozisht me heqje lirie, sepse edhe nëse, ai është me 75 vjeç i moshuar për këtë.
NOA/DV