Romë, 12 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Më pak se një orë nga hyrja e tij në Quirinale, kryeministri italian Silvio Berluskoni dha dorëheqjen.
Lajmin e shumëpritur nga mijëra italianët e mbledhur para sheshit të Presidencës italiane e bënë publik mediat vendase në këto momente.
Ndërkohë, që pas Greqisë, është Italia ajo që po jetonte orët e gjata të dorëheqjes së kryeministrit dhe qeverisë së tij, për krijimin e një qeverie të re, erdhi pak më parë edhe një reagim i fundit nga Shtëpia e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Presidenti amerikan Barack Obama përshëndeti para pak minutash zhvillimet më të fundit në Itali dhe Greqi.
Lajmi i bërë publik me urgjencë nga mediat italiane erdhi, ndërsa kryeministri tashmë i dorëhequr i Italisë, Silvio Berluskoni ndodhej në pallatin presidencial Qurinale ku po i dorëzonte Kreut të Shtetit Italian, Napolitano dorëheqjen e tij.
Ardhja e kavalierit italian në pallatit Quirinale u shoqërua me thirrjet kundërshtuese ndaj tij nga një turmë e madhe italianësh.
Mes tyre, shumica kërkonin largimin e menjëhershëm të Berluskonit nga qeveria, disa syresh ishin kureshtarë, por kishte edhe një pakicë që donte të shihte kryeministrin e ikur tashmë ndërsa futet në makinën e tij pas dorëzimit të çelësave të kabinetit qeveritar.
mit/NOA